Kryeprokurori Olsian Çela ka nxjerrë një udhëzim ku i kërkon prokurorëve që të kërkojnë dënim alternativ në rastet kur kjo është e mundur si masë për parandalimin e COVID-19.
Në udhëzimin e firmosur sot, kreu i organit të akuzës kërkon vlerësimin e dënimeve që garantojnë sigurinë e nevojshme të personit nën hetim.
Po ashtu, nëse plotësohen kushtet, prokurorët mund të kërkojnë dënime alternative dhe nëse gjykimi është drejt vendimit të formës së prerë, prokurorët mund të kërkojnë shtyrjen e ekzekutimit të vendimit me burgim.
Në udhëzimin e kryeprokurorit thuhet se, hyn menjëherë në fuqi dhe se do të ketë efekt deri në një njoftim zyrtar për përfundimin e masave për parandalimin e COVID-19.
Këtë udhëzim, vjen disa ditë pasi ministrja e Drejtësisë iu kishte kërkuar institucioneve të drejtësisë, përfshirë burgjet që të aplikohen dënime alternative.