Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur përjashtimin e përhershëm të Sali Berishës nga kjo parti.
Vendimi pritet t’i kalohet Këshillit Kombëtar.
Në mbledhje, e cila zgjati deri në orët e para të mëngjesit, është vendosur përjashtimi edhe për 7 anëtarët të Komisionit të Rithemelimit: Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.
Ndërkohë janë pezulluar nga partia: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Blendi Himci, Çlirim Gjata, Edit Harxhi, Edi Paloka, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Gent Deromemaj, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Rigels Muçollari, Ivi Kaso, Ledina Mandia, Luan Baçi, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi dhe Tritan Shehu.
PD nënvizon se këto vendime erdhën pasi në protestën e së shtunës u vu në rrezik jeta e anëtarëve të Kryesisë, Grupit Parlamentar, Këshillit Kombëtar, Kuvendit Kombëtar, dhe vetë anëtarëve të partisë që ishin thirrur në një protestë.
Të shtunën, selia e Partisë Demokratike u sulmua me forcë nga mbështetës të Berishës që iu përgjigjën thirrjes së tij për të protestuar për largimin e kreut Lulzim Basha.
Protestuesit tentuan të hapin me forcë dyert e blinduara dhe kanë thyen xhamat. Në mbyllje të protestës ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të vijojnë protestat.