Kryesia e Partisë Demokratike, në mbledhjen e së hënës, ka vendosur që të thërrasë dhe Këshillin Kombëtar për të miratuar rezolutën e bashkimit me pjesën tjetër të demokratëve që ende janë rreshtuar krah Lulzim Bashës.
Këshilli Kombëtar do të mblidhet të premten.
Ndërkohë, sa i përket protestës do të zhvillohet të premten në 12 korrik, ora 20:00.
Ndërsa Sali Berisha, në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, deklaroi se kjo parti ka si prioritet bashkimin e të gjithë demokratëve rreth flamurit të partisë së tyre.
“E konsideroj këtë mbledhje shumë të rëndësishme, në një moment të veçantë të PD, në një moment kur një kalvar i vërtetë, i imponuar në mënyrë antikushtetuese, antiligjore nga Edi Rama dhe regjimi i tij merr fund. Kryesia mblidhet sot me moton më kryesore të bashkimit të të gjithë demokratëve rreth flamurit të partisë së tyre. Domethënë rreth idealeve, rreth kontributeve dhe mendoj se mesazhi më kryesor që përcjell kjo mbledhje sot është, mirëpritja e të gjithë aty të cilët ndër vite dhanë kontributet të pamohueshme në këtë parti dhe që për një arsye apo një tjetër, për një arsyetim, apo një tjetër, kanë hezituar të bashkohen me shumicën duke përdorur, ose duke patur si shkak çështjen e logos, flamurit të cilat si një padrejtësi e madhe, morën fund këto ditë”, tha Berisha.
“Ndaj dhe unë siç e kam bërë në mënyrë të përsëritur, e bëj përsëri thirrjen për të gjithë demokratët që besojnë në idealet që kanë mbrojtur në kontributin që kanë dhënë, të bashkohemi dhe të vazhdojmë betejën tonë. Theksoj këtu ky nuk është një bashkim në festë, por një bashkim në betejë. Në betejë të një rëndësie jetike, vendimtare për fatin e Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Duke theksuar këtë unë ju drejtohem ju, anëtarëve dhe anëtareve të kryesisë së PD, është në detyrën tuaj më të parë sikundër të të gjithë strukturave të partisë sonë, të bëjmë gjithçka për të mirëpritur në shtëpinë e tyre, të gjithë ata demokrate dhe demokratë që e ndjejnë veten të tillë, dhe duan të bashkohen me ne. Asnjëri nga ne nuk ka të drejtë të shohë asnjë prej tyre në sy vëngër apo me hatërmbetje apo me skepticizëm. Nëse kemi parasysh faktin se ky është bashkim në betejë, secili para se ti lejojë vetes skepticizmin apo shpërfilljen, duhet të mos harrojë se i bën një shërbim armikut tonë të përbashkët, armikut të egër të shqiptarëve, Edi Ramës. PD ka nevojë të bashkohet jo vetëm me të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, por ka nevojë të bashkohet sot më shumë se kurrë me të gjithë spektrin opozitar”, shtoi Berisha.