Presidenti Ilir Meta priti sot në takim Kryetarin e Zgjedhur të Akademisë së Shkencave Akademikun Gudar Beqiraj gjatë të cilit u diskutua mbi situatën aktuale të Akademisë së Shkencave, procesin e reformimit të saj dhe sfidat dhe perspektivën e përballjes së tyre me sukses.
Gjatë bisedës u nënvizua nevoja dhe rëndësia e një reformimi tërësor të kërkimit shkencor dhe Akademisë së Shkencave në drejtim të rritjes së produktivitetit shkencor në harmoni me zhvillimet e sotme të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, për përballimin e sfidave të rëndësishme të vendit tonë.
Gjatë takimit akademiku Beqiraj i shprehu vullnetin e tij Presidentit për t’u dorëhequr nga pozicioni i Kryetarit të Zgjedhur të Akademisë së Shkencave duke theksuar se ai do të mbetet përkrah kolegëve të tij akademikë, mbështetës dhe kontribues i procesit të reformimit të nisur tashmë të këtij institucioni të rëndësishëm.
Meta vlerësoi aktin qytetar të akademikut Gudar Beqiraj duke vënë në dukje personalitetin e tij dhe rolin e kontributin e gjatë jo vetëm në fushën e kërkimit shkencor por edhe në atë të zhvillimit të sportit dhe të veprimtarive humanitare.
Meta theksoi rëndësinë e vendosjes sa më shpejt të dialogut mes Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe Qeverisë me qëllim rritjen e rolit të pazëvendësueshëm të saj për zhvillimin e vendit.