Nevoja për një përgjigje të unifikuar ndaj sfidave me të cilat po përballet Kosova, ishin temë e një takimi që zhvilloi sot në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Pas takimit, Bahtiri u shpreh se kishte ndërmarrë këtë vizitë si përkrahje ndaj Bashës përballë sulmeve të cilat ai ka hasur me pretendimet kinse në periudhën e luftës, kur bashkëpunonte me misionin e OKB-së (UMNIK), pengoi hetimin e gjenocidit serb në Krushë të Madhe.
“Kam ardhur t’i jap përkrahje maksimale për sfidat që po kalon vendi, dhe t’u bëj thirrje krerëve të partive politike në Kosovë e Shqipëri që të bashkohemi si një trup pasi është një tragjedi ajo që po ndodh me Kosovën, pasi UÇK-ja po trajtohet sot në Hagë padrejtësisht, ndaj shpifjet më të ulëta të cilat i bëjnë me qëllime të caktuara (politike) nuk i takojnë Bashës dhe për këtë jemi këtu që të mbrojmë deri në fund në emër të gjithë qytetarëve të Mitrovicës […] sepse e kemi nip (Bashën) dhe si i tillë ka dhënë kontribut të veçantë për Kosovën”, u shpreh kryetari i Komunës së Mitrovicës Bahtiri, i cili e ka shpallur Bashën qytetar nderi të Mitrovicës.
Në fjalën e tij Basha u shpreh “pro” idesë së Bahtirit për “domosdoshmërinë për një përgjigje të unifikuar të shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri për çështje të interesit kombëtar”.
Pjesë e takimit me Bashën, ishin kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut Halit Barani dhe drejtori i planifikimit urban të komunës së Mitrovicës, Besnik Beka.
Takimi në fjalë ndodh pak ditë pasi Kryeministri Edi Rama dhe pjesëtarë të tjerë të Partisë Socialiste janë pozicionuar krah akuzave mediatike ndaj kryetarit të PD-së Basha.
Akuzat bëjnë fjalë për kohën kur Basha ishte pjesë e strukturës së UMNIK-ut që merrej me hetimet e krimeve të luftës në veri të Kosovës.
Një dëshmitar i masakrës së Krushës së Madhe, Milaim Ballanica, i cili e pati filmuar skenën e krimit, nisi akuza mediatike ndaj Bashës, sipas së cilave ai kishte zhdukur kasetën e vendngjarjes.
Basha i mohoi kategorikisht akuzat ndërkohë që më vonë ish-deputeti socialist Dashamir Peza tregoi se ato filmime i kishte marrë ai për t’ia përcjellë BBC-së, e cila e raportoi ngjarjen bujshëm.
Masakra e Krushës së Madhe në Rahovec, u krye më 25 mars 1999 një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në Serbi.
Mbi 240 civilë u vranë barbarisht ndërsa 60 të tjerë u zhdukën.