Sport Kryevepra e Lilës dhe një leksion sheikëve të PSG

Kryevepra e Lilës dhe një leksion sheikëve të PSG

Lila rikthehet në majën e futbollit francez pas plot një dekade, duke fituar titullin kampion për herë të katërt në histori. Një kryevepër e klasës punëtore kundër miliarderëve të PSG

Lila është shpallur kampione e Francës për herë të katërt në histori, 10 vjet pas titullit të fundit. Gjithçka është vendosur në javën e fundit, pasi fitores 1-2 ndaj Angers të dielën. Një kryevepër e klasës punëtore, që mban firmën e trajnerit marsejez Kristof Galtier, i cili e ka drejtuar këtë skuadër me shpirtin kolektiv dhe atë të sakrificës. Lila grumbulloi 83 pikë, 1 më shumë se PSG.

Ka fituar skuadra më skuadër, me lojtarë më pak të njohur, por që kurrë nuk janë trembur nga golat e Mbape, shënuesi më i mirë në Francë me 27 gola, dhe as nga fintet e Nejmarit. Djemtë e Galtier kanë shfrytëzuar në mënyrën më të mirë momentet e dobëta të PSG-së, duke triumfuar edhe në ndeshjet direkte (0-0 në shtëpi dhe 0-1 në “Prince Parc”). PSG e sheikëve, pas shijes së hidhur të eliminimit në Champions, me humbjen e titullit duhet të rishikojë projektin sportiv. Edhe për të bindur Mbape të qëndrojë.

Lila ka hyrë në histori për faktin që i ka mohuar titullin PSG-së së erës “Qatar”, si Montpelje në 2012-ën dhe Monako në 2017-ën. Tashmë për bilancin e skuadrës do të mendojnë lojtarët kyç të saj. Në vetrinë janë portieri Maignan, i pathyeshëm në 21 ndeshje nga 38 në total. Ofertat nuk mungojnë për 21-vjeçarin Botman, i ricikluar nga Ajaksi, dhe 21-vjeçarin tjetër Çelik, një nga tre turqit e mrekullive, 24-vjeçarin Jaziçi dhe veteranin Burak Jillmaz.

Pikërisht 35-vjeçari, ish-lojtar i Beshiktashit dhe Gallatasarajit, me 16 gola në kampionat, është simboli i një skuadre solide, me depërtimet e 25-vjeçarit Xhonatan Bamba në krah (6 gola dhe 9 asiste), talentin e 23-vjeçarit Ikoné, i rritur me Mbape dhe i formuar te PSG, ashtu si 22-vjeçari Soumaré, pikë kyçe në mesfushë bashkë me André. Ka gjetur veten në këtë skuadër edhe ish-lojtari i Bajernit, portugezi Renato Sançes.

Suksesi i Lilës i dedikohet trajnerit Galtier, i cili zuri vendin e Marselo Bielsës në dhjetor të 2017-ës. Ai krijoi një skuadër hermetike në mbrojtje. Miku i fëmijërisë së Kantona ëndërron Premier Ligën, por tashmë është vënë në shënjestrën e Nisës së miliarderit Ratcliffe, që i ofron rrogë dyfish dhe blerje të bujshme. E tenton gjithashtu edhe Lioni.