Më shumë se dy vite pas përballjes fillestare me koronavirusin, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar gjetjet e Barometrit Kombëtar për ndikimin e kufizimeve gjatë pandemisë në liritë dhe të drejtat e njeriut.
Drejtoresha ekzekutive e KSHH, Erida Skëndaj tha se kufizimet e vendosura gjatë pandemisë nëpërmjet akteve normative u bënë pa konsultim dhe cënuan parimin e proporcionalitetit. “Synimi i Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit mund të arrihej me masa më pak represive, të përshkallëzuara dhe të planifikuara më herët. Interesi që u mbrojt ishte jeta dhe shëndeti i çdo qytetari. Por kur vihet në diskutim parimi i proporcionalitetit, diskutohet a mund të arrihej ky qëllim me masa më pak represive?”- tha Skëndaj.
Barometri nënvizon se janë mbajtur standarde të dyfishta sa i takon tubimeve, si dhe janë aplikuar në mënyrë selektive masat administrative.
Për realizimin e Barometrit u mor një kampion prej 800 personash. 82% e të anketuarve mendojnë se shërbimet shëndetësore nuk kanë qenë të përballueshme për të gjithë, pa diskriminim, duke përfshirë grupet e margjinalizuara. Ndërsa 61% u shprehën se kufizimet e vendosura gjatë pandemisë (mbyllja e përkohshme e aktiviteteve, kufizimi i lëvizjeve, etj) kanë ndikuar në mirëqenien e tyre ekonomike.
41% e të anketuarve pohojnë se nuk janë vaksinuar, prej të cilëve, 22% janë përgjigjur se arsyeja është mungesa e besimit te vaksinat dhe 11% prej mungesës së transparencës dhe informimit lidhur me vaksinat.