Avokati Alban Bengasi, i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë”, është arrestuar në aeroportin e Rinasit teksa po tentonte të hynte në Shqipëri pasi u kthye nga Dubai.
Ndaj Alban Bengasit ka masë sigurie arrest në burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.
Emri i avokatit Alban Bengasi është përmendur nga vrasësi me pagesë, tashmë i penduar i drejtësisë, Nuredin Dumani.
Në dëshmitë e dhëna para hetuesve disa muaj më parë, kur zbardhi edhe një mori vrasjesh, Nuredin Dumani deklaroi se Alban Bengasi kishte ofruar 120 mijë euro për të vrarë gruan e tij.
Por Dumani nuk e kishte pranuar, duke thënë se “nuk i pëlqente të rrihte gra”, prandaj këtë porosi ua kaloi Eljo Bitrit dhe një djali tjetër për të cilin thotë se nuk i kujtohet kush ishte.
Pasi e kishin ndjekur për ditë me radhë Blerta Bengasi (Ruçin), Eljo Bitri e ka qëlluar atë me grushte në fytyrë deri sa i ka dalë gjak. Pas kryerjes së porosisë, Dumani takon avokatin për t’i marrë paratë, por ky i fundit ishte i pakënaqur pasi ajo nuk kishte thyer as krah dhe as këmbë dhe prandaj i kishte kërkuar që ta vriste.
Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, mbi dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale kundër personit dhe në fushën e krimit të organizuar.