Kandidati i opozitës për zgjedhjet presidenciale në Turqi, Kemal Kiliçdaroglu u zotua të kthejë në vendet e tyre miliona emigrantë, në një kthesë dramatike në retorikën e tij, në prag të balotazhit me Erdogan. Kiliçdaroglu, i cili udhëhoqi një fushatë më pozitive krahasuar me rivalin, pësoi zhgënjim në raundin e parë të zgjedhjeve, ku pavarësisht parashikimeve të sondazheve, mbeti prapa presidentit turk.
Duket se kjo e ka shtyrë drejt një qasje tjetër më agresive, teksa akuzoi Erdogan se bashkëpunon me një rrjet terroristësh dhe se ka lejuar emigracionin e pakontrolluar.
“Ne nuk e gjetëm në rrugë këtë vend. Nuk do t’ua lëmë tokën tonë këtij mentaliteti që ka lejuar 10 milionë emigrantë të paligjshëm”.
Ai nuk ofroi të dhëna mbi numrin e emigrantëve, por Turqia është vendi me popullsinë refugjate më të madhe në botë, rreth 4 milionë, për strehimin e të cilëve ka edhe një marrëveshje me BE-në.
Partia me rrënjë islamike në pushtet, AK dhe aleatët nacionalistë fituan një shumicë të rehatshme në parlament, ndërsa Erdogan siguroi përparësinë në zgjedhjet presidenciale, por pa e kaluar pragun e nevojshëm të 50 përqindëshit. Opozitari Kilicdaroglu, i konsideruar si favorit në sondazhe, mori rreth 45 përqind të votave dhe shkon në raundin e dytë më i dobësuar.
Votat që shkuan për kandidatin e tretë në garë Sinan Ogan, rreth 5.17 për qind, mund të rezultojnë vendimtare në përcaktimin e fituesit.
Kthesa e ashpër e Kiliçdaroglu sugjeron se fushata e tij në prag të balotazhit mund të shenjohet tani nga një qëndrim më patriotik, krahasuar me retorikën e moderuar të parazgjedhjeve. Deklarata mund të shihet edhe si një përpjekje për të siguruar mbështetjen e Ogan, mesazh kryesor i të cilit ishte kthimi mbrapsht i emigrantëve.