Viti 2024 ka nisur me reshje të pakta dhe vranësira, por me temperatura të larta. Sipas parashikimeve të sinoptikanëve, të shtunën pritet që temperaturat maksimale të arrijnë deri në 20 gradë Celsius.
“Deri ditën e shtunë, moti do jetë me alternime, kthjellime, vranësira, lagështirë, reshje. Reshjet do jenë kryesisht në veri, por nuk përjashtohen momente me pika shiu edhe në zonat qendrore, duke përfshirë Tiranën, megjithatë janë reshje joproblematike dhe në sasi të pakta. parashikohet që kjo javë, deri ditën e shtunë të regjistrojë temperatura të larta, pra futet me temperatura të larta janari. Madje, presim temperatura deri në 20 gradë” – thotë Lajda Porja nga Meteoalb.
Ndërsa dita e diel pritet të sjellë reshje në të gjithë territorin e vendit.
“Dita e diel do të jetë ajo që do të shpeshtojë më tepër vranësirat. Do të kemi reshje në të gjithë territorin, rrebeshe, si edhe do të ketë rënie të temperaturave me të paktën 4 apo 5 gradë. E diela do bëjë ndryshimin e gjithë këtyre ditëve”.
Sipas parashikimeve të meteorologëve, pas datës 10 janar do të vijë i ftohti polar.
“Më e ftohtë do të jetë pjesa e mesit të janarit. Dhjetëditëshi i dytë i janarit rezervon të ketë edhe masa të ftohta polare dhe aty do t’i kuptojmë dhe do t’i ndjejmë vërtet temperaturat e ulëta. Kjo masë e ftohtë polare, e cila do të zbresë drejt Ballkanit, do të fillojë pas datën 10 janar, por nuk e dimë me saktësi sa do të qëndrojë…”
Sinoptikanët parashikojnë se ky dimër do të jetë i ngrohtë, në krahasim me vitet e mëparshme dhe ditët e ftohta me temperatura ekstreme do të jenë të pakta.
Ndërkohë, ky vit i ri e ka gjetur Europën, një pjesë të mirë të saj, nën pushtetin e të ftohtit, shirave e përmbytjeve, duke bërë që shkollat edhe atje ku duhej të kishin nisur, të qëndrojnë mbyllur.
Gati e gjithë Europa Perëndimore është përfshirë nga ky mot, jo ekstrem, por as tipik për këtë periudhë. Në rajonin nordik, temperaturat arritën këtë të mërkurën nën -40 gradë celsius, shoqëruar me erëra të ftohta, gati arktike. Edhe në disa qytete të Suedisë, temperaturat shënuar -43.6 gradë celsius, temperatura më e ulët rekord në Suedi për 25 vitet e fundit.
Me të njëjtin mot përballet edhe Danimarka, perëndimi i Rusisë, me Moskën që po përjeton temperature nën -30 gradë. Ndërkohë, një pjesë e mirë e Europës është e përfshirë nga shirat pa pushim.
Perëndimi i Britanisë është nën pushtetin e ujit, njëjtë edhe Irlanda dhe Holanda, ku ka ndërprerje të energjisë elektrike, dëmtime të shtëpive e probleme të transportit publik. E njëjtë raportohet situata edhe në Gjermani e Francë, ku shiu duket se nuk ka ndërmend të pushojë, po ashtu as temperaturat, ndjeshëm të ftohtë, madje të acarta.