Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock e quajti krejtësisht të papranueshme kërkesën nga Serbia për dërgimin e trupave në Kosovë. Vuçiç ka paralajmëruar se Serbia do ta paraqesë zyrtarisht këtë kërkesë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka bërë të ditur në fundjavë se Serbia do të kërkojë zyrtarisht në ditët në vijim që në Kosovë të kthehen forcat serbe, “siç parashikohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Vuçiç tha se kjo kërkesë do t’i dërgohet misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe autoriteteve të tjera ndërkombëtare. Njëkohësisht Vuçiç ka kërkuar që Policia e Kosovës të mos mund të shkojë në veri të vendit pa pëlqimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në këtë pjesë të vendit.
Përdorimi i armëve
Situata në veri të Kosovës është tensionuar dy muajt e fundit – pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për fillimin e procedurave për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga autoritetet serbe. Më pas ky problem është zgjidhur dhe është pezulluar përkohësisht me ndërmjetësimin e palës amerikane. Por përfaqësuesit e serbëve në Kosovë dhe policët serbë janë tërhequr nga institucionet dhe Policia e Kosovës, ndërsa kryetarët e komunave në veri kanë dhënë dorëheqje. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte shpallur zgjedhjet lokale në veri për datën 18 dhjetor. Por edhe ky vendim është shtyrë për në prill të vitit të ardhshëm, me qëllim zbutjen e tensioneve të krijuara dhe gjetjen e një zgjidhje përfundimtare për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Megjithatë serbët lokalë kanë bllokuar disa rrugë në veri, që ka rezultuar edhe me mbylljen e dy pikëkalimeve kufitare në veri. Ka pasur edhe sulme me armë ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Këtë tendosje presidenti i Serbisë e ka marrë si shkas për kërkesën që në Kosovë të kthehet forcat serbe.
“Kosova i ka zbutur tensionet, Serbia po e bën të kundërtën”
Ndërkohë kanë reaguar edhe autoritetet e BE dhe të NATO-s të cilat kanë kërkuar uljen e tensioneve. Ndërkohë ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock në një reagim në Twitter, shkroi se “Kosova i ka ulur tensionet me shtyrjen e zgjedhjeve, por retorika e fundit e Serbisë po bën të kundërtën.” Shefja e diplomacisë gjermane i quajti “të papranueshme” sulmet mbi misionin e BE-së në Kosovë, EULEX. Një patrullë e këtij misioni është sulmuar të shtunën në mbrëmje me shok bombë nga, siç u tha, persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës. Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi për këto sulme. Ndërsa Beogradi e ka shpallur Prishtinën fajtore.