Dy vëllezër në Shijak janë vënë në pranga pasi kishin përshtatur ambiente në banesën e tyre për kultivimin e kanabisit.
Gjatë operacionit policor antidrogë të koduar “Krahët e krimit ”, u zbuluan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba, prej ku u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.
Në pranga është vënë një 43-vjeçar i shpallur në kërkim si dhe vëllai i tij, 46 vjeç.
Ndërkohë, bëhet po ashtu e ditur se gjatë operacionit, në një ambient me mur të dyfishtë, u gjet i fshehur një arsenal armësh, i përbërë nga 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan.
43-vjeçari i arrestuar rezulton person me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje. Ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Krahët e krimit”, të zhvilluar më 24 janar 2023, pasi në bashkëpunim me vëllanë e tij, F. K., i arrestuar në flagrancë gjatë operacionit, kanë kultivuar bimët narkotike të gjetura gjatë operacionit dhe posedonin arsenalin e armëve që u gjet i fshehur.