Nikolla Marku, ky shtetas i papërgjegjshëm i cili që nga viti 1995 deri më sot, pavarësisht se shkel me të dyja këmbët ligjin në shtetin shqiptar përsëri ndaj tij nuk merret asnjë masë sipas kodit penal, që penalizon dhe dënon çdo thyerje ligji në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ai në vitin 1995 grabiti nën kërcënimin e armëve kishën e Shën Mërisë, Kala, Elbasan dhe ndërtesat rreth saj, pasuri e ligjshme e KOASH-it, duke përzënë me forcë klerikët kanonik shqiptar dhe midis tyre një klerik orthodhoks amerikan, të cilët ishin duke kryer liturgjinë hyjnore. Ai dhe njerëzit e tij të mbështetur edhe nga organet e shtetit në atë kohë e kthyen objektin e shenjtë monument kulture që duhej të mbrohej nga shteti në pronë private, në kioskë familjare, duke tjetërsuar tempullin e shenjtë me ndërhyrje deri në sakrilegj, ku vendin e pagëzimores e ka kthyer ne tualet, ose kishën në pasarela mode që pozojnë para ikonave të shejntorve vajza gjysmë të zhveshura, veprimi fyese për të cilat KOASH- i ka protestuar publikisht.
Ai sot për shkak të shëndetit të rënduar kryen “meshën” në bashkëpunim me një burrë laik i cili bënë veprime dhe thirrjet drejtuar popullit, të cilat nuk mund ti thotë askush veçse klerik kanonik. Ky laik nuk ka arsimin kishtar dhe nuk është i hirotonisur si klerikë në asnjë kishë. Kjo tregon se Nikolla nuk ka frikë Perëndie, mund të thotë dhe mund të bëjë çdo gjë dhe askush nuk i thotë asnjë fjalë. Këto veprime jokanonike dhe sakrilegje që përdhosin vendin e shenjtë, kanë bërë qe edhe disa që e besonin në fillim tani e kanë braktisur duke e lënë të vetëm në punët e tij të mbrapshta.
Edhe kur KOASH-i në padinë për vjedhjen e pronës së e saj nga shtetasi Nikolla Marku fiton të tre shkallët e gjykatave në Republikën e Shqipërisë, përsëri shteti akoma edhe sot nuk ndërhyn sipas detyrimeve ligjore të vendimeve të gjykatave nëpërmjet Zyrës së Përmbarimit për të kthyer pronën të zotit, ashtu siç vepron rëndom në rastet e tjera. Shteti nuk ka vepruar,kjo është një shkelje e marrëveshjes midis KOASH-it, që njihet si person juridik dhe Shtetit shqiptar.
Në këtë marrëveshje nr. 10057, dt. 22 01 2009 në nenin 21 thuhet:
1) “Ndërtesat dhe objektet që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare konsiderohen të shenjta nga KOASH-i. Ndërhyrja e autoriteteve shtetërore është e ndaluar me përjashtim të rasteve të flagrancës, ku një gjë e tillë kërkohet në zbatim të urdhërit të prokurorisë, të një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv ose në rast të një kanosje të një rreziku të afërm.
2) Paprekshmëria e hapësirës publike garantohet nga shteti. Shteti mbron objektet dhe vendet e caktuara fetare, në përputhje me ligjin.”
Edhe kur Nikolla Marku zhduk ikonat e kishës me vlera të larta artistike dhe pasuri kombëtare duke i zëvendësuar me ikona letre, lyen me gëlqere ikonat murale, përsëri shteti si garant dhe mbrojtës i monumenteve të kulturës në bashkëpunim me KOASH-in, nuk ndërhyn, dhe nuk proçedohet si vjedhës akoma edhe sot, pse?
Kur Nikolla Marku për gati 23 vjet gënjen, shpif, fyen, inskenon në bashkëpunim me qarqe anti të krishtera kundër Kryepeshkopit kanonik, Sinodit, klerit të KOASH-it, duke krijuar shumë situata të tensionuara brenda dhe jashtë vendit dhe mbi të gjitha duke fyer besimtarët orthodhoks që në Shqipëri përbëjnë gati 22 % të popullsisë, përsëri ndaj këtij personi edhe kur gënjeshtrat dhe shpifjet e tij i plasin në ajër si flluska sapuni, përsëri asgjë nga shteti. Përkundrazi i jepen hapësira mediatike me një imunitet misterioz, ku mund të thotë ç`të dojë kundër çdokujt me gënjeshtër pavarësisht kostos që deklaratat e tij mund kenë si brenda dhe jashtë vendit, duke nxitur urrejtje nacionaliste në rajonin e ndjeshëm si ky i yni dhe që bien ndesh me perspektivën europiane të popujve të Ballkanit.
Kur ai edhe në këto ditë duke përdorur disa media brenda dhe jashtë vendit akuzon për plane, kurthe, akte kriminale KOASH-in në bashkëpunim me qeveritë e vendeve fqinje: Greqi, Serbi, se kundër tij që përpara 5-6 vjetëve ishte përgatitur një kurth për eliminim fizik me helmim nga një bashkëpunëtor i këtyre qarqeve shoviniste i cili sipas Nikollës ishte 12 vjeç, shteti nuk reagon, por bën sehir dhe lejon që të vazhdoj të flas përçart në media.
Pavarësisht se në “kazanin mediatik” kjo hedhurinë e Nikollës gjeti vend dhe u publikua si lajm i ditës duke pasur dhe reagime madje edhe përkrahje nga shoqata si ajo LSHB (Lëvizja për Shqipëri të bashkuar) për Nikollën të cilit i rrezikohet jeta, faktet po tregojnë se është një shpifje dhe një gënjeshtër e radhës deri në paranojë. E para, është vetë Nikolla që e përgënjeshtron me mungesën e koherencës së fakteve nga dita në ditë.
Në gazetën info elbasani.al në datën 26 gusht ai rrëfen përpara gazetarit duke thënë: “Unë zbulova skenarin se si do të më eliminonin dhe ky eliminim ishte përgatitur me kohë, dalëngadalë për të pasur një fund të sigurt. Një skenar makabër përgatitur nga qarqe të errëta të kishës dhe shovinistëve grek.
Kurse në datën 28 gusht në një intervistë radiofonike në “Radio Kontakt” (me karakter fetar jo të krishterë), pyetjes së gazetares; “A janë të vërteta lajmet që dikush ka tentuar t’ju helmojë?” ai i përgjigjet: “Nuk po them se s’janë të vërteta, por tentativë ka pasur për të më dobësuar mua rolin e punës dhe për të më hequr”. Po në këtë intervistë Nikolla guxoi të përmend edhe emrin e këtij fëmije “bashkëpunëtor për eliminim e tij” që sot është një i ri student.
Por që të besohet vërtetësia e një akti kriminal nuk duhet të flasë vetëm pala akuzuese, por edhe ai që akuzohet dhe i akuzuari publikisht nga Nikolla Marku me të gjithë të drejtën ligjore ka reaguar në statusin e tij dhe ka përgënjeshtruar akuzën e Nikollës. Ai shkruan: “Në këtë intervistë tek Radio Kontakt Nikolla Marku më përmendte me emër Dhimitër Brisku duke SHPIFUR në mënyrë të turpshme sikur qenkam pagëzuar, mësuar dhe qëndruar për vite me radhë pranë këtij personi në kishën Shën Maria dhe pas një përpjekje të dështuar për ta helmuar( në moshën 12 vjeçare) qenkam larguar nga aty… Tani vjen pjesa qesharake e intervistës e cila u ngjan skenarëve të filmave të regjimit ateist, tentative për helmim me verë të Nikolla Markut nga ana ime. Së pari duke qenë se vetë pohon që kam qenë 12 vjeç nuk mund të ketë ndodhur 5-6, por 10 vjet më pare, sepse tani jam 22 vjeç (datëlindja 12 shtator 1995), jo pjese është vërtetë qesharake, për arsye sepse së pari deklaroj me bindje dhe përgjegjësi që nuk i kam thënë kurrë personit në fjalë që unë kam dashur të të helmoj, aq më tepër cili njeri me sadopak logjikë thotë se ka tentuar të më helmojë një fëmijë 12 vjeç.”
Është moment që organet kompetente të shtetit ligjor duhet të bëjnë detyrën dhe të na thonë se kush gënjen dhe shpif? Si gjithmonë Nikolla, apo dikush tjetër?
Pavarësisht në këtë shtetin tonë me tranzicion të stërzgjatur gjërat nuk shkojnë siç duhet madje në shumicën e rasteve ngjarjet, shpifjet sado të rënda zgjasin vetëm tre ditë, madje me absurdin që vjedhësi, gënjeshtari, glorifikohet, bëhet person mediatik me status të persekutuari, kurse i akuzuari, i pafajshëm, mbetet me njollë dhe me kosto personale dhe familjare, n.q.s. duam të hyjmë në Evropë dhe të bëhemi një shtet ligjor , ku të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit, shteti duhet të veprojë, se u zgjat si shumë kjo gjendje anormale.
Deri më sot po e pranojmë se nuk ka pasur shtet të mirfillt, por tepsi, por tani që qeveria e re e ka timonin në të dy duart e saj për të ecur pa devijim në rrugën e së drejtës ligjore duhet të veprojë. 1) Të zbatojë vendimet gjyqësore, ti kthej pronën e grabitur Kishës Orthodhokse. Të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra. Gënjeshtari të dënohet dhe i dëmtuari të dëmshpërblehet.
Në të kundërtën përsëri jemi në një tranzicion, propagandë boshe elektorale dhe në “rrumpallë” ku lejohet që e “ndyra të hipi dhe të qëndroj në vend të shenjtë”.
Atyre që e përdorin dhe e financojnë dhe përkrahin Nikolla Markun gjoja si patriot, nacionalist, por që në të vërtetë janë anti të krishterë, antishqiptar, të cilët kërkojnë të pengojnë përpjekjet dhe vizionin euroatlantik të vendit, ju themi; Boll e përdorët Nikollën. Është një kartë e djegur. Lëreni rehat të gjorin! Në qoftë se vërtetë dëshironi të ndeshemi mediatiksht, se në këtë botë është e pamundur të mos ketë skandal, se e mira me të keqen, e vërteta me gënjeshtrën do ndeshen deri në fund, ngriheni pak nivelin e përballjes, gjeni gjëra më serioze dhe jo muhabete kalamajsh.
Ndërsa Nikollës i them: Boll lejove të të përdorin, kthehu sa nuk është vonë tek të tutë, tek vëllezërit besimtarë, tek Kisha Orthodhokse, se edhe ti je një dele e humbur që Bariu kërkon të të gjeje dhe të të shpëtojë.
Kam bindjen se po të ngjallej papa Kristo Negovani, Fan Noli, Visarioni dhe kushdo që u përpoq për autoqefalinë e Kishës pavarësinë dhe shtetin shqiptar, do të të thoshin me një zë: O Nikolla, hiq dorë nga këto punë të mbrapshta se “goja gënjeshtare është e urryer për Zotin” dhe ne si të krishterë duhet të themi gjithmonë të vërtetën në të kundërtën mos na i përmend emrin dhe na bën bashkëpunëtor në punët e tua kundër KOASH-it, sepse ne në këtë botë të përtejme jemi të qetë, se çfarë aspiruam, u përpoqëm dhe u munduam, na u realizua. Kishë Autoqefale të Shqipërisë deshëm, Kishë të tillë kemi sot, të pavarur dhe të barabartë me të gjithë kishat nëpër botë. Gjuhë shqipe zyrtare deshëm, gjuhë shqipe zyrtare kemi sot në Kishë. Episkop dhe klerikë shqiptar donim, të tillë i ka KOASH-i sot. Madje edhe Mitropolitin e Elbasanit e ke me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare. Çfarë kërkon akoma? Por kthehu dhe merr shembull si hajduti në kryq që u pendua për mëkatet e tija dhe siç thotë Kisha jonë Orthodhokse me pendim “vodhi” parajsën. Zoti të ndriçoftë!
Miron Çako, përgjegjës i Zyrës së Katekizmit, KOASH