Kryesore “Ku ishte shteti kur u ndërtua pa leje”? Rama: Nuk ka lindur...

“Ku ishte shteti kur u ndërtua pa leje”? Rama: Nuk ka lindur ndërtues që më blen mua me kate pallatesh

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale, lidhur me kritikat që ka marrë nga opozita dhe mediet për aksionin e nisur nga qeveria e tij kundër ndërtimit të kateve e metrave shtesë.

Rama thotë se pikërisht për shkak se ka më shumë ligje e rregullave, ka më pak ndërtim e të tilla pa leje.

Dhe sipas tij, ka shumë të ngjarë që me këtë aksion për shembjen apo konfiskimin për interes publik të këtyre vëllimeve abuzive, “të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme”.

Duke iu përgjigjur kritikave, Rama thotë se s’ka lindur ende ai ndërtues që ta blejë atë, se po të kishte ndodhur kjo, sipas tij ky aksion as nuk do kishte nisur.

“Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq.”- përfundon Rama.

Ky reagim i kryeministrit vjen pasi ai sot njoftoi se ka nisur zbatimi i vendimit të qeverisë për konfiskimin e pallateve pa leje. Ai publikoi edhe një video ku tregohet se është konfiskuar pallati 9 kate në Farkë që u denoncua një ditë më parë nga ai se kishte kate pa leje, aksion për të cilin u kritikua.

REAGIMI I PLOTË I RAMËS

KU ISHTE SHTETI KUR U NDËRTUA?

E kam ndeshur këtë pyetje në komente mbi operacionin më të fundit të qeverisë për shembjen apo konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi. Pyetja në fakt është ku ishin inspektorët apo punonjësit e policisë së zonës ku janë bërë të tilla abuzime! Këtë do ta mësojmë nga hetimi që ka nisur paralelisht, ndërkohë që pa dashur të humbas kohën e askujt të cilit nuk i mbushet mendja, po as timen për t’iu mbushur mendjen atyre që s’duan, them se janë disa gjëra që duhen mbajtur parasysh nga të gjithë ata që janë të interesuar të informohen:

E para, sot këto lloj ndërtimesh janë ku e ku më pak se dje dhe janë ku e ku më pak, pikërisht sepse ka ku e ku më shumë shtet, ligj, rregull se sa deri dje, kur mbizotëronte rrumpalla e kudondodhur.

E dyta, kjo nuk është një ndeshje futbolli dhe as një betejë e vetme, me kronometër apo kohë të shkurtër. Kjo është një luftë e gjatë, ku avantazhi i shtetit dhe i ligjit në terren nuk merret kollaj, po merret hap pas hapi, me mund e durim të madh.

E treta, ky operacion bazohet në ndryshimet e reja ligjore, që dolën si mësim në rrugën plot kthesa e befasira të kësaj lufte dhe mbështetet në një vullnet të papërkulur nga vitet, për ta çuar këtë luftë të gjatë deri në fund.

E katërta, ka shumë të ngjarë që me mbylljen përfundimtare të rrugës së legalizimit dhe shembjen apo konfiskimin për interes publik të këtyre vëllimeve abuzive, të vuloset edhe fundi i kësaj praktike të neveritshme.

E pesta dhe e fundit, e cila është edhe personale dhe e kam me ata që më dinë si veten e tyre apo më akuzojnë, për gjëra që mesa duket do t’i bënin vetë po të ishin në vendin tim:

Po të kishte lindur ndërtuesi që më blinte mua me kate e me metra pallatesh, ky operacion nuk do ndodhte kurrë me nxitjen dhe nën udhëheqjen time. Kaq.