Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka dalë para gjykatës, këtë të mërkurë, ku ka paraqitur konkluzionet e mbrojtjes në çështjen e inceneratorit të Fierit.
Përmes avokatit, Lefter Koka pretendoi se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore.
Sipas avokatit, Koka nuk ka pasur asnjë kompetencë vendimmarrëse. “Ministri ka vetëm një kompetencë, urdhrin për ngritjen e komisionit për dhënien e koncesionit. I pandehuri Koka ka nënshkruar kontratën koncensionare si titullar, jo si vendimmarrës”, tha avokati Julian Mërtiri.
“Ka qenë Ministria e Financave që ka vlerësuar ligjshmërinë e procedurës dhe që ka lëvruar fondet publike. Nëse do të kishte konstatuar probleme le ta kthente”, shtoi avokati.
Sipas mbrojtësit, gjithë procedura është shqyrtuar nga të gjitha institucionet përkatëse.
Mbrojtja deklaroi se nuk ka asnjë provë që Koka të ketë përfituar para nga inceneratorët.
Sipas tyre ish-ministri nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore dhe akuzat pa prova forcojnë bindjen se ai po sulmohet politikisht dhe me porosi.
Argumentet e mbrojtjes së Lefter Kokës
1-Një dosje hetimore e fraksionuar në copa me qëllim moszbardhjen e të vërtetës dhe përgjegjësive të secilit.
2- Akuza është kopje e ekzaktë e akuzës së procesit të Elbasanit me të njëjtit persona, të njëjtat shoqëri dhe të njëjtat fakte penale, madje dhe pretenca është e njëjtë.
3-Kosto e impiantit të Fierit ka tejkaluar vlerën që shteti ka paguar dhe koncesionari ka pësuar humbje të rënda.
4-Administratori i përcaktuar nga shteti ka faktuar se koncesionari ka paguar 5,2 milionë Euro punime shtesë, pa marrë asnjë fond nga buxheti i shtetit si dhe ka pësuar një dëm prej 3 milionë euro.
5- Hetimi shmangu dhe pengoi të vërtetën për këtë impiant duke mos kryer një akt ekspertimi inxhinierik pasi e kuptoi që do të dështonte në akuza në rast se do ta kishte bërë një të tillë.
6-Procedura është konform ligjit e filtruar edhe nga anëtarët e institucioneve që kishin detyrë me ligj ta filtronin dhe monitoronin ligjërisht.
7- Çështja mbi shpronësimin e tokës është gjykuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata Administrative, e cila e ka cilësuar “Truall” pronën e shpronësuar, ndërsa Ministria e Mjedisit e shpronësuar me vlerë “Tokë Are” me një vlerë 6-fish me pak.
8-Punimet kanë filluar për përgatitjen e kantierit që në vitin 2017, sipas lejes provizore të Bashkisë, faktuar kjo edhe nga Vendimi i Gjyqtares Paraprake të çështjes.
9- Askush nga personat e pyetur deri më sot nuk dëshmon të jetë influencuar apo t’i ketë dhënë para korrupsioni Lefter Kokës.
10- Nuk rezulton asnjë njohje e Lefter Kokës me koncesionarët.
11-Hetimi dhe akuza bazohen vetëm në disa fatura shoqërish pa analizuar dhe provuar sesi kanë shkuar këto lekë te Lefter Koka.
12-Për çdo paragraf të akuzës kemi paraqitur me qindra dokumente dhe argumente që katërcipërisht vërtetojnë të kundërtën?
13-Lefter Koka nuk ka asnjë pasuri të shtuar pas 2013, faktuar nga hetimi dhe ILDKPKI. Ku janë paratë e korrupsionit dhe si janë pastruar?
14-Prona që kërkoni të sekuestroni ka një vlerë 4-fish më të larë se vlera e korrupsionit të pretenduar.
15-Asnjë qindarkë e pa justifikuar nuk është gjetur në pasurinë e Lefter Kokës. Asnjë cent nuk është kapur si provë e korrupsionit.
16- Akuzat pa prova forcojnë bindjen se Lefter Koka sulmohet politikisht dhe me porosi.