“Një vit më parë, ka pasur informacion që Ervin Mata ka ardhur në Shqipëri me një person, i cili konsiderohet atje si drejtuesi i organizatës më të madhe të narkotrafikut në Bolivi”, është shprehur gazetari Artan Hoxha.
I ftuar mbrëmë në emisionin “Opinion”, gazetari Hoxha deklaron se nga informacionet e tij, Ervin Mata dhe drejtuesi i organizuarës më të madhe të narkotrafikut në Bolivi kanë udhëtuar dhe me mjet ajror në territorin shqiptar.
Blendi Fevziu: Ku ndodhet Ervin Mata tani?
Artan Hoxha: një vit më parë, ka pasur informacion që Ervin Mata ka ardhur në Shqipëri me një person, i cili konsiderohet atje si drejtuesi i organizatës më të madhe të narkotrafikut në Bolivi. Ka ardhur në Shqipëri bashkë me të. Ai ka qëndruar në Shqipëri dhe kanë lëvizur me sa di unë edhe me mjet ajror në territorin e Shqipërisë. Është larguar, gjatë kësaj kohe ka qëndruar më tepër jashtë.
Blendi Feviu: Kishte dyshime se ai merrej me trafik, flitej rëndom në grupin e gazetarëve që merrej me trafik.
Artan Hoxha: Dyshime ka shumë, çështja është si të shkosh tek prova. Ekspozimi i Ervin Matës u bë pas ngjarjes në Bllok. Pas ngjarjes në Bllok, Ervin Mata ka pasur disa momente… sepse është një nga personazhet më kontraversë të narko-trafikut. Mund ta gjesh një muaj në kulm se mund të ketë lëvizur një sasi prej 1 ton-1 ton e gjysmë kokainë dhe muajin tjetër mund ta gjesh krejtësisht pa Lekë duke kërkuar para. Pra është një personazh shumë i çuditshëm, paguante çmimet e kokës për të bërë aktivitete kulturore, klipe e ku di unë për të realizuar gjëra të tilla. Ervin Mata hyn kryesisht tek pjesa e narkotrafikut, e trafikimit të sasive më të mëdha në Bashkimin Europian.