Për herë të parë pas më shumë se 40 vitesh, në Kubë është emëruar Kryeministri i vendit. Presidenti Miguel Diaz-Canel ka emëruar në këtë detyrë Manuel Marrero Cruz, që ka mbajtur detyrën e ministrit të Turizmit. Posti i Kryeministrit në Kubë është caktuar për herë të parë në vitin 1976 nga lideri i atëhershëm i vendit, Fidel Castro.
56-vjeçari Marrero do të marrë disa kompetenca që aktualisht i ka Presidenti i Kubës. Gazeta online “Cubadebate” e drejtuar nga shteti, shkruan se Kryeministri i Kubës do të jetë dora e djathtë e Presidentit për çështjet administrative.
Megjithatë, kritikët thonë se emërimi i një Kryeministri në Kubë është thjesht fasadë, sepse sipas tyre, Partia Komuniste dhe Ushtria mbeten dy institucionet e vetme vendimmarrëse reale në ishull. Manuel Marrero Cruz u votua unanimisht nga deputetët në Asamblenë Kombëtare të Kubës.
Në vitin 2004 ai u emërua ministër i Turizmit të Kubës nga Fidel Castro dhe që prej atëherë ishulli ka njohur rritje në industrinë e turizmit, që është sektori më i rëndësishëm për ekonominë e Kubës.
Me emërimin e tij si Kryeministër, është e paqartë nëse do të vazhdojë të jetë në krye të Ministrisë së Turizmit.