Qeveria kubane ka autorizuar përkohësisht dhe në mënyrë të pakufizuar hyrjen në vend pa tarifë të produkteve ushqimore, atyre higjieno-sanitare dhe ilaçeve, mallra që mungojnë në tregun kombëtar.
Importi i tyre do të lejohet duke nisur nga e hëna e ardhshme deri më 31 dhjetor 2021, njoftoi kryeministri Manuel Marrero. Masa vjen pas protestave të ashpra në Kubë ditët e fundit kundër krizës ekonomike.
Ndërsa ministri i Ekonomisë, Alejandro Gil, njoftoi një rritje të pagave shtetërore, raporton ANSA. Ai tha se pagat në ndërmarrjet shtetërore do të rishikohen me kujdes përmes një procesi me disa faza, i cili parashikon që ndërmarrjet të rrisin autonominë.
Sa i përket importit të mallrave bazë, qeveria do të lejojë që udhëtarët që mbërrijnë në ishull të marrin me vete sasi të pakufizuara, duke respektuar rregullat e vendosura nga linjat ajrore, dhe pa paguar taksa.
Ditët e fundit, dhjetëra qytete në Kubë u përfshinë nga protestat. Një i ri mbeti i vdekur dhe qindra të tjerë u arrestuan.
Tubimet e fundit janë ndryshe nga të gjitha ato që janë parë që nga revolucioni kuban. Ato vijnë në një kohë kur vendi po kalon krizën e tij më të keqe ekonomike në 30 vjet, me mungesa kronike të energjisë elektrike, ushqimit dhe ilaçeve dhe një përkeqësim të pandemisë së koronavirusit.
Protestat e fundit të mëdha, dhe të parat që nga revolucioni që solli Fidel Kastron në pushtet në 1959, ishin ato të vitit 1994. Edhe në to, kubanët protestuan kundër vështirësive ekonomike, por u mbajtën vetëm në kryeqytet dhe u kufizuan shpejt nga policia.