Shqipëria do të marrë 141,600 doza të vaksinës së AstraZeneca, me shpërndarjen që do të nisë brenda muajit shkurt, të paktën sipas kalendarit nga Covax të publikuar pak ditë më parë.
Por një problem serioz ka lindur gjatë ditëve të fundit, ku ekspertët Europian kanë arritur në përfundim se kjo vaksinë duhet të përdoret për persona jo në moshë të madhe. Për këtë arsye, shumë shtete, si Gjermania, Italia, Greqia, Zvicra, e të tjerë, të vendosin limit moshe, duke mos vaksinuar personat mbi 55 ose 65 vjeç në varësi të vendeve.
Për këtë çështje u pyet në A2 zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e cila u shpreh që do të zbatohen të gjitha udhëzimet që do të vijnë. Ndërkohë, ajo theksoi se pritet të vijnë edhe doza nga vaksina e Pfizer dhe do të ketë një kombinim, në mënyrë që të vaksinohen të gjithë personat.
“Të gjitha këto vende janë duke e përdorur vaksinën e AstraZeneca-s. Dozat vijnë edhe me portofolin për mënyrat se si duhet të përdoret, ku do të përdoret. Patjetër, që edhe në vendin tonë do të vijë me këtë portofol. Edhe ekspertët tanë, Komiteti Kombëtar i Imunizimit, në bazë të relacioneve që vijnë nga prodhuesit dhe studimet e tyre, patjetër që do t’i ndjekin ato.
Sa i përket problemit të moshës, duhet të kemi parasysh që ne kemi edhe vaksinën e Pfizer. Kështu që do të bëhet një vaksinim i kombinuar sipas rekomandimeve nga Komiteti i Imunizimit”, tha Rakacolli.