Duke marrë shkas nga 8 kërkesat e studentëve, velina e “Xing me Ermalin”, Kejvina Kthella i kërkoi kryeministrit Edi Rama t’i drejtojë tetë kërkesa qytetarëve shqiptarë.
Por kryeministri u përgjigj duke thënë se ai nuk kopjon dhe nuk pranoi të bëjë tetë kërkesa, por pesë.
“Unë kam shumë të meta, por nuk kopjoj. Mua mund të më kopjojnë, por unë jo dhe 8 pika për 8 pika nuk ka. Unë mund të bëj 5 kërkesa ndaj njerëzve”, tha Edi Rama përpara se të formulonte 5 kërkesat.
Rama kërkoi nga qytetarët të kuptojnë të vërtetat, të kujdesen për porositë e prindërve apo për gjuhën e nënës.
5 kërkesat e kryeministrit për qytetarët:
1-Atëherë unë njeriut të zakonshëm, atij që na ndjek pa një status, por që ka statusin e qytetarit i them kujdesu për të vërtetën sepse sot jetojmë në kohën që kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërtetë s’ka veshur akoma “pantallonat”. Mundohu me pak vëmendje që të kuptosh nëse po të thonë të vërtetën apo gënjeshtër.
2- Kujdesu për porositë e babës. Është mirë që ato porositë bazike të prindit mos harrohen.
3-Kujdesu për gjuhën e nënës. Shumëkush këtu ka lexuar ose ka parë filma se si janë vrarë njerëz për shkronjat shqipe. Gjuha shqipe është pasuria jonë më e madhe dhe kur shoh që po rrezikon të gjymtohet them që realisht duhet të kujdesemi. Ne e kemi rikthyer në shkollë dhe mendoj se edhe në Universitet duhet të fusim Gjuhë Shqipe.
4-Kujdesu që edhe fqinjit t’i shkojë mbarë sepse kur e ke fqinjin keq, herët apo vonë do të ta thyej ndonjë xham.
5-Kujdesu për atdheun e fëmijëve të tu sepse ka një shprehje që thotë: “Atdheun ia kemi borxh fëmijëve tanë”. Çfarë bëjmë ne sot mund të jetë mbarësi për fëmijët tanë.