Politika “Kukësi u ble”, Berisha: Zyrtari i lartë i PS-së u kap në...

“Kukësi u ble”, Berisha: Zyrtari i lartë i PS-së u kap në përgjime me drejtorin e OSHEE

Për humbjen zgjedhjeve të pjesshme në Kukës, kreu i Rithemelimit bën blerjen e votës. Sipas Sali Berishës, Taulant Balla dhe Belinda Balluku janë “marrë me shpërndarje parash për një javë rresht në qarkun e Kukësit”.

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha përmendi një takim të bërë në prill mes një zyrtari të lartë të PS-së dhe drejtorit të OSHEE-së. Sipas tij, tryeza ku u zhvillua takimi përgjohej nga SHISH.

“Në këtë përgjim, është bërë pazari, që drejtori i OSHEE, do të bëjë një tender, nga të cilat, 300 mijë euro do t’i dërgojë në Tropojë, 200 mijë në Kukës. Shtyllat do të vendoseshin në Has dhe restoja në Durrës.”

Përgjimi i është vënë në dispozicion kryeministrit Rama, sipas Berishës.

“Nuk kam të dhëna që Rama ta ketë dërguar në SPAK. E mban aty për ta mbajtur peng atë zyrtarin.”

Berisha vijoi me akuzat ndaj SPAK, i cili sipas tij ka mbyllur edhe një dosje përgjimi të kryetarit të Bashkisë Gjirokastër.

Edhe në këtë përgjim, sipas kreut të Rithemelimit, po bëheshin pazare për blerje votash.