Nga Ylli Pata
Kulla e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, prej vitesh tashmë ka hyrë në sistemin e integruar të sigurisë në lidhje permanente me strukturat e NATO-s.
Shqipëria ka shumë vite që ka lidhur marrëveshjen me kompaninë globale amerikane Lockheed Martin, e cila ka ndërtuar dhe monitoron sistemin e sigurisë të hapësirës ajrore dhe asaj detare shqiptare.
Një marrëveshje që është lidhur herë pas here nga të gjitha qeveritë shqiptare që kanë qenë në pushtet.
Më e fundit është ajo e shkurtit të vitit 2020. Ndërkaq, në vitin 2017 është firmosur një marrëveshje me këtë kompani strategjike në SHBA për të ndërtuar një radar të fjalës së fundit, i cili është i ndërtuar në lartësitë e Midës në Pukë.
Programi i sistemit të integruar ajror ka nisur që në vitin 2004 dhe është përsëritur vazhdimisht.
Programi mbulonte ndërtimin e selisë së re të operacioneve të kontrollit të trafikut ajror, kullën e kontrollit të aeroportit, radarin me rreze të gjatë, ndihmat e komunikimit dhe navigimit, përveç kompjuterave dhe ekraneve të reja për automatizimin e trafikut ajror për të integruar fotografinë totale të ajrit për kontrollorët e trafikut ajror.
Ndërkaq, marrëveshja përfshin gjithashtu trajnime shtesë për kontrolluesit dhe inxhinierët dhe modernizimin e infrastrukturës tjetër.
Sistemi i sigurisë ajrore të integruar bën të mundur që të gjitha të dhënat që sigurohen nga Kulla e Rinasit, të shikohen në kohë reale edhe nga inteligjenca ajrore e NATO-s, në një bazë të saj të rëndësishme për hapësirën ajrore, që ka selinë në Spanjë.
Gjatë vizitës së presidentit të SHBA-së, George W.Bush në Tiranë në vitin 2007, kontrollorët e kullës të Rinasit u larguan të gjithë për 48 orë dhe gjithçka u mor në dorë nga kontrollorë të ushtrisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ka shumë gjasa që edhe gjatë Defender 21, stërvitjes së NATO-s që nis në muajin e ardhshëm, ku janë angazhuar një numër i madh i trupave amerikane, sërish të kenë rol specialistët e SHBA në kullën e Rinasit.