Ishte një nga hitet më të bukura, të propozuara nga ky kampionat i Serie A dhe, nuk është rastësi, që Juventusi vendosi ta blejë kartonin e tij në janar, duke mposhtur shumë rivalë. Dejan Kulusevski është një nga fytyrat e reja premtuese të futbollit italian dhe më gjerë. I rritur tek Atalanta, por me ngjyrat bardhezi në të ardhmen, ai pati mundësinë të shpërthejë te Parma, aty ku do ta përfundojë sezonin, para kapërcimit të madh në karrierë.
Kulusevski ende nuk e ka filluar aventurën e tij me bardhezinjtë, por tashmë është njohur me Cristiano Ronaldon dhe shokët e ardhshëm të skuadrës: “Çfarë emocioni atë ditë në “Allianz Stadium”, një atmosferë unike! Dhe CR7 që më tha: Mirë se vjen Dejan, si je? Buffon dhe Chiellini ishin gjithashtu të këndshëm me mua. Një gëzim i jashtëzakonshëm për një djalë që i kishte parë vetëm në TV”.
Te Juventusi do të ketë mundësinë të luajë me disa nga futbollistët më të mirë në botë: “Mezi po pres të bëj duet me Dybala dhe të shijoj të majtën e tij magjike. Në çdo rast do të luaj në role të shumta. Kam në plan t’i krijoj hapësira vetes edhe në Torino”. Talenti suedez tashmë ka pasur mundësinë të flasë me Sarrin: “Ai ishte njeri i mirë, më qetësoi. E kam parë Chelsea dhe llojin e tij të lojës. Kjo është edhe arsyeja pse zgjodha Juventusin”.
Emri i tij u lakua edhe tek Interi, por në fund zgjodhi “Zonjën e Vjetër”, edhe për çështje thjesht taktike: “Me Conte, lëvizjet janë të ndryshme, ashtu si vendosja taktike. Kisha dyshime për të shkuar dhe përshtatur atje, vetëm kaq”.
Kulusevski zbuloi se cila ishte ndjesia më e fortë, e përjetuar si futbollist deri më tani: “Debutimi në “San Siro”, ndaj Interit, në një stadium të mrekullueshëm. Isha i qetë në dukje, por brenda vetes u mbyta nga stresi. Një 2-2 i paharruar”.