Njeriu i konsideruar shpesh si “kumbari i inteligjencës artificiale” është larguar nga Google, duke përmendur si arsye shqetësimet e tij mbi vërshimin e informacioneve të rreme, videove dhe fotove në internet dhe mundësinë që inteligjenca artificiale të përmbysë tregun e punës.
Dr. Geoffrey Hinton u largua nga Google këtë javë, raportoi New York Times. Ai iu bashkua ekipit të Google një dekadë më parë për të ndihmuar në zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale. Hulumtimi i Hinton shërbeu si bazë për sistemet aktuale si ChatGPT.
75-vjeçari tha se u largua për të folur më lirshëm për rreziqet e inteligjencës artificiale dhe pjesërisht i vjen keq për kontributin e tij në këtë fushë.
Disa nga rreziqet e chatbot-eve të inteligjencës artificiale ishin “mjaft të frikshme”, tha ai për BBC, duke paralajmëruar se mund të bëhen më inteligjentë se njerëzit dhe mund të shfrytëzohen për keq.
“Kam arritur në përfundimin se lloji i inteligjencës që ne po zhvillojmë është shumë i ndryshëm nga inteligjenca që kemi,” tha ai. “Pra, është sikur të kishit 10,000 njerëz dhe sa herë që një person mësonte diçka, të gjithë e dinin automatikisht. Pra, këta chatbot-e mund të dinë shumë më tepër se çdo njeri.”
Shqetësimi i Hinton tashmë është bërë realitet – njerëzit nuk do të jenë në gjendje të dallojnë më se çfarë është e vërtetë nëpër foto, video dhe tekste që krijohen nga inteligjenca artificiale.
Ai është i shqetësuar se kjo teknologji do të zëvendësojë shumë profesione dhe do të shkaktojë kaos në tregun e punës.