Tri ditë nga atentati mafioz ndaj të fortit të Shkodrës, Bardhok Planaj, policia nuk ka ende asnjë person të dyshuar për vrasjen.
Veç familjarëve të 46-vjeçarit, në komisariat nuk janë shoqëruar persona të tjerë ndërsa marrja në pyetje e tyre nuk i ka ndihmuar hetuesit, pasi të afërmit e të njohurit edhe si “Kumbari”, kanë mohuar që të kenë konflikte.
Sipas prokurorisë së Shkodrës, ekzekutimi është kryer nga vrasës me pagesë, ndërsa në automjetin nga ku u qëllua Planaj besohet se kanë qenë 3 persona.
Ndonëse hetuesit kanë arritur të sigurojnë me video momentin kur 46-vjeçari goditet në ecje me kallashnikov, identifikimi i autorëve është i vështirë për shkak se pamja nga kamera e sigurisë nuk është e qartë.
Bardhok Planaj u qëllua për vdekje pranë shtëpisë së tij në lagjen Dobraç, ndërsa dy prej plumbave e prekën në kokë dhe zemër. Më pas autorët e dogjën makinën që besohet se përdorën për atentatin pak metra larg vendit të ngjarjes ndërsa brenda saj u gjetën dy armë kallashnikov.
Pista që ka ngritur grupi hetimor është ajo e larjes së hesapeve, kjo për shkak të të kaluarës së errët të 46-vjeçarit. Planaj është arrestuar për disa ngjarje ndërsa dyshohej si i përfshirë edhe në sulmin me armë zjarri në drejtim të lokalit të efektivit të Shqiponjave Albert Pjetri në dhjetor të vitit të kaluar.
Bardhok Planaj ishte pjesë edhe e grupit të të arrestuarve gjatë operacionit Laguna e Vilunit ku u sekuestruan 800 kg drogë.