Politika Kumbaro: Ligji për zonat e mbrojtura ka vija të kuqe. Tabaku: Tërësisht...

Kumbaro: Ligji për zonat e mbrojtura ka vija të kuqe. Tabaku: Tërësisht korruptiv, Shqipëria do të marrë një notë proteste nga BE

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro doli të sqaronte përpara gazetarëve miratimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, i cili sipas opozitës është korruptiv, në funksion të disa njerëzve pranë qeverisë dhe që parashikon 14 investime strategjike në këto zona.

Ministrja sqaroi se ligji i ri është një kërkesë e bashkive, i konsultuar gjerësisht me shoqërinë civile dhe se ka vija të kuqe që nuk mund të shkelen.

“Kjo është një kërkesë e shumë kryetarësh bashkish që kërkojnë një tjetër bashkëpunim. Kjo ka nisur muaj më parë. Ka pasur konsultime publike dhe kemi pasur takime me përfaqësues të shoqërisë civile. Dua të kujtoj shembullin pjekurinë për lumin e Vjosës, i cili u shpall park kombëtar, i pari i një lumi të egër. Kjo mazhorancë ka vullnetin që votoi në dhjetor një ligj që anëtarëson Shqipërinë në organizatën e konservimit të natyrës. Qeveria është marrë gjatë më draft/ligjin që janë disa linja të kuqe që nuk duhet të preken. Nuk duhen prekur direktivat e BE”, tha Kumbaro.

Më tej, ministrja shtoi se Shqipëria sot ka më shumë se 21% të territorit zonë të mbrojtur dhe se banorët brenda tyre kanë të drejtën e zhvillimit brenda ligjeve. Kombaro mohoi se do të ketë një resort në Parkun e Divjakës.

“Në 2021, Shqipëria kishte 17% të territorit zonë të mbrojtur dhe tani kemi më shumë se 21%.  Nuk është e lehtë për një vend si Shqipëria për të pasur 1/5 e territorit zonë të mbrojtur. Nuk ka asnjë projekt për një resort në parkun e Divjakës. Janë lajme të pavërteta.  Me BE dhe partnerët jemi në komunikim për të shpjeguar se nuk do të preket sipërfaqja e territoreve të mbrojtura. Nuk do të ketë ndarje të territoreve të zonave të mbrojtura me bashkitë. Do të ketë rregulla më të qarta. Nuk mund të ketë të njëjta rregulla si në lagunë apo mal. Ka njerëz në këto zona që nuk mund të bëjnë shtesa në banesë apo të ndërtojë agroturizme. Vetëm në nënzonat ku lejohen aktivitetet turistike, brenda kritereve strikte do të jenë të mundura të zhvillohen me filtra striktë. Vullneti i kësaj qeverie për të mbrojtur zonat e mbrojtura është në nivelin më të lartë”, tha Kumbaro.

Më herët, deputetja demokrate Jorida Tabaku paralajmëroi se Shqipëria shumë shpejt pritet të marrë një notë protestë nga Bashkimi Europian në lidhje me ligjin për zonat e mbrojtura, të cilin mazhoranca e miratoi në seancën e fundit të Kuvendit, vetëm me votat e saj.

Sipas Tabaku, ligji është tërësisht korruptiv dhe parashikon 14 investime strategjike në zonat e mbrojtura, teksa shqetësimet e saj i ka përcjellë deri në instancat më të larta vendase dhe europiane.

“Ju e dini që kam kohë që përpiqem që betejën tonë ta bëjmë në institucione. Por në këto kushte as vota e deputetëve të PS nuk ka vlerë. Në ligjin e zonave të mbrojtura u shkelën të gjithë konventat. Ka 14 investime strategjike brenda zonave të mbrojtura. E kam ngritur këtë shqetësim me ambasadorët dhe strukturat e tjera. Këto nuk janë akte që shkojnë në frymën e integrimit.

Këto akte tregojnë se qeveria punon për një grup njerëzish. Ky është një ligj korruptiv, tregon kapjen e shtetit. Më vjen keq për ata kolegë socialistë që ngritën kartonin. Di që qeverisë po i dërgohet një notë proteste. Ky ligj është problematik për mjedisin, por jo vetëm kaq është kryekëput korruptiv”, tha Tabaku.