Në fazat fillestare të një sezoni futbollistik është e zakonshme të bëhen parashikime për objektiva të ndryshëm, nga titulli kampion deri te rënia një kategori më poshtë. Një vit më parë, Verona ishte pothuajse gjithmonë në pozicionet e fundit. Me një moshë mesatare të skuadrës shumë të re, kjo skuadër e Serie A kishte krijuar më shumë se hutim dhe pesimizëm në mesin e ekspertëve. Megjithatë, nën drejtimin e Ivan Juric, gjithçka ka ndryshuar.
Përshtypjet e para dolën të gabuara me kalimin e javëve dhe me rrjedhën e lojës së bukur të ofruar nga ekipi në fjalë, sigurisht ndër surprizat më të bukura dhe interesante të këtij kampionati. Mentaliteti pozitiv dhe disa prekje për të perfeksionuar sulmin, një manovër e zhvilluar kryesisht nga krahët, për të përfituar nga galopimet e të jashtmëve: Skema 3-4-2-1 e teknikut kroat ka krijuar një “perëndeshë” për dashamirët e “bukurisë” dhe për ata që adhurojnë lojën e bukur.
Në këtë ekip ranë në sy, veçanërisht, tre lojtarë të panjohur për shumicën e njerëzve: Marash Kumbulla dhe Amir Rrahmani në mbrojtje, si dhe Sofyan Amrabat në mesfushë. Shtylla kurrizore e këtij ekipi, që shpesh ua ka vështirësuar punën ekipeve BIG (humbja e Juventusit në “Bentegodi” është prova e kësaj) duke u përpjekur nga ana tjetër të realizojnë ëndrrën e kualifikimit në Europa League që do të festohej si një titull.
Derbi italian në merkato për Kumbullën
Për qendërmbrojtësin shqiptar me nënshtetësi italiane (lindi në Peschiera del Garda në vitin 2000), Verona nuk kishte pse të bënte përpjekje ekonomike. Kumbulla, në fakt, u rrit në sektorin e të rinjve të klubit, ku u bashkua vetëm 8 vjeç. Dhe pastaj kaloi tërë ekipet e moshave, derisa debutoi me ekipin e parë sezonin e kaluar (vetëm 2 paraqitje totale).
Ardhja e Juric e ndryshoi totalisht jetën e tij. Titullar i pazëvendësueshëm që nga fillimi i kampionatit aktual, ai provoi edhe kënaqësinë e shënimit të golit të parë në Serie A, më 5 tetor 2019, në fitoren 2-0 ndaj Sampdoria. Në realitet, golat do të ishin dy, nëse vetëm disa centimetra nuk do t’ia kishin hequr gëzimin e shënimit personal në ndeshjen e fituar në shtëpi kundër Juventusit.
Ndoshta ishte ajo ndeshje, që i bëri bardhezinjtë të dashuroheshin me Kumbullën, për të cilën pritet një betejë në merkato me Interin. Zikaltrit kanë treguar interesin më të madh dhe tani për tani mund ta konsiderojnë veten në avantazh, por duhet të bëjnë kujdes nga kampionët e Italisë dhe Lazio, një tjetër klub që në të kaluarën ka kërkuar informacion nga Presidenti Setti.
Rrahmani, mbrojtësi i ardhshëm i Napoli-t
Rrahmani, e di se Verona nuk do të jetë më në të ardhmen e tij. Në sezonin 2020-2021 ai do të luajë për Napolin, i cili për të ka ofruar 14 milionë euro, plus 1.5 milionë bonuse , ndërsa për lojtarin është gati paga prej 1.8 milionë euro, për pesë sezone. Një tjetër fitim kapitali për Hellas Verona, e cila e mori atë 12 muaj më parë nga Dinamo Zagreb për pak më shumë se 2 milionë euro. Një shifër e papërfillshme, nëse marrim parasysh evolucionin teknik dhe taktik të regjistruar nga djaloshi që prej zbarkimit në Serie A.
Që nga viti 2016 ai ka luajtur me kombëtaren e Kosovës, pasi mori leje nga FIFA, pasi më parë kishte zhvilluar dy ndeshje me Shqipërinë. Në vitin 2019, ai u bë kapiten i kombëtares më të re të Ballkanit, që madje ëndërron të kualifikohet në Kampionatin Europian, të planifikuar për më 2021. Takimi me historinë dhe gjysmëfinalja e “play off”-it kundër Maqedonisë së Veriut, përveç finales eventuale kundër njërës mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, janë dy synime që mund të arrihen nën drejtimin e Rrahmani-t.