Drejtuesit e Interit ishte në gjendje ta shihte Marash Kumbullën nga afër të enjten në mbrëmje. I konstatoi aftësitë e tij mbrojtëse në veprim, në një sprovë për “master”, duke markuar hap pas hapi Romelu Lukakun. Ky i fundit, i gjendur në “darën” e 20-vjeçarit shqiptar, nuk bëri dot asgjë për 70 minuta, sa ishte në fushë. Mediat italiane i kanë bërë jehonë duelit të mbrojtësit të Hellas Verona, i datëlindjes 2000, me bomberin ziklatër.
Beppe Bergomi komentoi në mikrofonat e “Sky Sport” performancën e Marash Kumbullës në Hellas Verona-Inter 2-2, pas një dueli të bukur të 20-vjeçarit shqiptar me Lukakun: “Në futbollin e sotëm, të gjithë mbrojtësit kanë nevojë ta masin dhe tregojnë veten ndaj rivalësh të fortë, që shënojnë rregullisht. Kumulla, në duelet një kundër një me Lukakun, tregoi saktësi dhe personalitet të jashtëzakonshëm. Ndonjëherë i parashikoi lëvizjet e rivalit, herë të tjera ia doli me shumë përpjekje. Mos harroni se po flasim për një djalë ende të ri. Nuk e kuptoj plotësisht se sa i shpejtë është, sepse kur shkon të luash në një ekip të shkëlqyer, shumë herë duhet të mbrosh në fushë të hapur dhe të kesh shumë metra për të shkuar edhe mbrapa. Sidoqoftë, ai është një djalë me personalitet dhe nëse e fut brenda një skuadre, me lojtarë që e njohin sistemin e tij të lojës, mund të bëjë mjaft mirë”.
Një luftë e vërtetë, në të cilën Kumbulla nuk ka lëshuar terren aspak, duke treguar se çfarë potenciali posedon. Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Verona i tha “jo” ofertës së Lazio prej 20 milionë eurosh, plus mesfushorin Andre Anderson (i vlerësuar 5 milionë). Klubi verdheblu nuk është i gatshëm të bëjë asnjë zbritje për shqiptarin, çmimi i të cilit për momentin nuk zbret nën 25 milionë euro.
Interi dhe Juventusi “vigjëlojnë” në garën për Kumbullën, i cili i ka mbajtur të gjitha dyert e hapura deri më tani. Sidoqoftë, asnjë klub nuk e ushqen “ankandin” venecian, duke parë vështirësitë financiare të merkatos së radhës, e goditur rëndë nga Covid-19