Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia në gjykatë e 50-vjeçarit, Fatmir Talellari, i cili akuzohet se ka vrarë kunatin e tij, Erjon Pelivanin, pasi thotë se i kishte përdhunuar vajzën e tij të mitur për 9 vite.
Sipas medias “Gegonota.news”, 50-vjeçari ka deklaruar se përdhunimi i së bijës nga 33-vjeçari ka ndodhur në dhomën ngjitur, ku ndodhej djali i tij, tashmë 9-vjeç.
“Vajza ime më tregoi se kur u përdhunua nga kunati im, në dhomën ngjitur ishte djali im, i cili tani është 9 vjeç. Kunati e linte vetëm në dhomën tjetër ngjitur dhe mbyllte derën që të ishte vetëm me vajzën time”, thuhet në dëshminë tonditëse të babait 50-vjeçar.
Ai thotë se është shumë i shqetësuar për shëndetin mendor të të birit 9-vjeçar, pasi tani e kupton se pse i biri frikësohej kur shihte kunatin e tij.
“Jam shumë i shqetësuar për shëndetin e tij mendor, por tani e kuptoj reagimin e tij kur shihte kunatin: Dukej i frikësuar, por më vonë e kuptova pse. Tani është e domosdoshme që ai të marrë mbështetje psikologjike dhe të ekzaminohet nga një psikolog fëmijësh.”
Më tej, në dëshminë e tij, 50-vjeçari ka rrëfyer se e bija ka tentuar të vetëvritet.
“Vajza ime, e cila nuk e ka nënën e saj, ka shumë nevojë që unë ta mbështes atë psikologjikisht dhe financiarisht, pasi është e shkatërruar nga ana emocionale dhe ka arritur deri në tentativën e vetëvrasjes.”
50-vjeçari theksoi se jetesa e familjes së tij varen nga puna që ai kryen, pasi ka thënë se nuk kanë të ardhura të tjera. Sipas mjekëve, vajza vuan nga stresi post-traumatik pas vitesh abuzime seksuale të përsëritura dhe shantazhi dhe ka nevojë për trajtim të menjehershëm psikologjik.
Abuzimi seksual për 9 vite me vajzën që sot është 18 vjeçe nga vëllai i bashkëshortes së dytë, u zbulua rastësisht në momentin kur e bija e tij kishte probleme me pagesën e qirasë. Aty mësoi se kunati e shantazhonte dhe i kërkonte para, pasi në të kundërt do t’i publikonte videot e fotot intime.
Gjykata greke e liroi përkohësisht nga qelia 50-vjeçarin duke i caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie, një vendim ky që gëzoi 3 vajzat e tij nga martesa e parë të cilat shpërthyen në lot në sallë.