Katër tifozë janë vënë në pranga pas ndeshjes Vllaznia-Tirana, të luajtur të dielën në Shkodër. Policia njoftoi se tifozët e Tiranës kanë kundërshtuar efektivët duke ushtruar dhe dhunë fizike.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër: bënë arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve të shoqëruar mbrëmë, menjëherë pas ndeshjes, D. P., 29 vjeç, Sh. X., 22 vjeç, Sh. S., 29 vjeç dhe A. S., 39 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim dhe duke ushtruar dhunë fizike”, njoftoi policia.
Arrestimi i tyre erdhi pasi disa prej tifozëve hodhën në fushë lëndë piroteknike. Në lidhje me këtë rast është proceduar në gjendje të lirë. Kur autoritetet kanë ndërhyrë, tifozët në fjalë kanë kundërshtuar efektivët.
“U procedua në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, shtetasin M. L., 30 vjeç, banues në Tiranë. Nga kontrolli fizik, 30-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 kapsollë”, njoftoi policia.
Sa i përket “klasikes” së futbollit shqiptar, ajo u mbyll në barazim 2-2. Një ndeshje që i pati të gjitha pasi u shënuan gola spektakolarë dhe pati shumë raste.