Lionel Messi ëndërron dhe beson te fitimi i Kupës së Botës me Argjentinën e tij, i vetmi trofe i rëndësishëm që i mungon shtatë herë fituesit të “Topit të Artë”. Botërori po afron, turneu do të zhvillohet në periudhën 20 nëntor-18 dhjetor, teksa kombëtarja Albiceleste është pjesë e grupit C, me kundërshtarë si Meksika, Polonia dhe Arabia Saudite.
“Ashtu si në gjithë Argjentinën, edhe në familjen time Kupa e Botës po pritet me ankth, sidomos nga ana e Antonelës dhe Thiagos. Ai shikon gjithë videot e ndeshjeve të Kombëtares, studion kundërshtarët e mundshëm dhe di me saktësi se kur do luhet ndeshja e parë e Argjentinës, e dyta dhe kështu me radhë.
Ai është nervoz dhe ndjen ankth. E vërteta është se kjo më shton presionin, më vendos mua nën një presion të tmerrshëm. Favoritët? Ne po kalojmë një moment shumë të mirë, por nuk jemi favoritë. Nuk kam bërë asnjë premtim në lidhje me Botërorin, dhe as që kam ndërmend ta bëj.
Vetëm Zoti e di dhe e vendos se çfarë do të ndodhë. Ai e di se kur vjen momenti i duhur dhe ka një plan rreth asaj që do të ndodhë. Sigurisht që mendja më rri te Kupa e Botës, por nuk jam tip që bëj premtime”, deklaroi ylli, simboli dhe kapiteni i kombëtares argjentinase.