Sport Kupa e Shqipërisë/ Derbi pa fitues, Partizani shpërdoron ndaj Dinamos

Kupa e Shqipërisë/ Derbi pa fitues, Partizani shpërdoron ndaj Dinamos

Barazim 1-1 mes Dinamos dhe Partizanit në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Tedi Cara përfitoi nga një gafë e Simon Simonit dhe kaloi “Demat” në avantazh në minutën e 24-t.

Skuadra e Bledi Shkëmbit reagoi dhe gjeti golin e barazimit dy minuta përpara fundit të pjesës së parë. Patrik Bardhi u frenua në mënyrë të parregullt nga Belica dhe kapiteni Agim Ibraimi dërgoi topin në rrjetë.

Partizani u shfaq më kërkues në fraksionin e dytë të takimit. Esat Mala kishte dy mundësi të mirë, teksa Simoni i hoqi Sherif Kallakut golin e parë me ekipin e ri.

Ibraimi tentoi nga ana tjetër, por Alban Hoxha priti në dy kohë. Në fund drithërima për Dinamon pas rasteve të Kallakut dhe Kotes. Përfundimisht 1-1 në “Air Albania”, me Partizanin që regjistron ndeshjen e tretë sezonale pa humbje në derbin kundër Dinamos. Ndeshja e kthimit do të luhet më 9 shkurt.

Teuta hedh një hap drejt gjysmëfinaleve

Teuta e ka përfunduar me sukses misionin e saj në Korçën e ftohtë përballë vendasve të Skënderbeut. Në një fushë të mbuluar nga bardhësia e dëborës, durrsakët triumfuan në ndeshjen e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë me rezultatin 0-1 falë një goli të Rubin Hebajt. Në fakt, takimi u vendos në dyshim nëse do të fillonte duke qenë se temperaturat e ulëta kishin ngrirë tubacionet e ujit dhe në këtë formë në dhomat e zhveshjes mungonte uji.

Megjithatë, problemi u zgjidh dhe sfida filloi me rreth 40 minuta me vonesë. Minutat e para ishin të vakëta ndërsa lojtarëve iu desh të ambientoheshin me terrenin e fushës. Në fraksionin e dytë, Teuta shfaqet më kërkuese dhe rastet e Aleksit apo Dajës, konkretizohen në vazhdim nga ana e Hebajt.

Në minutën e 61, shkodrani koordinohet bukur nga distanca dhe mposht portierin Ruçi. Sakaq, në minutën e 74, Acquah shënon edhe golin e dytë, por aksioni bëhet i pavlefshëm për shkak të një pozicioni të parregullt.

Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim të rezultatit dhe kështu Teuta hedh një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ndërsa mbetet për t’u luajtur edhe ndeshja e kthimit më datë nëntë shkurt.