Kryesore Kupa nuk kthehet në shtëpi, por shkon në Romë. Mancini në lot:...

Kupa nuk kthehet në shtëpi, por shkon në Romë. Mancini në lot: Nuk kam fjalë për djemtë

I lumtur dhe i emocionuar Roberto Mancini. Tekniku italian që sapo u shpall kampion europe nuk fsheh lotët e tij për triumfin në Wembley. “Jam pa fjalë. Morëm gol menjëherë dhe ishim në vështirësi, por me pas dominuam ndeshjen. Djemtë janë të mrekullueshëm, është fitore e rëndësishme për te gjithë popullin tonë, jemi të lumtur”, deklaroi pak minuta pas fitores tekniku italian, që hakmerret në këtë mënyre me stadiumin tempull të futbollit britanik, ku ai si lojtar kishte humbur finalen e Champions League kur luante me Sampdorian.

Në kampin anglez, humori është totalisht ndryshe. I pari që flet është pikërisht kapiteni Harry Kane, i cili shpreh keqardhjen por edhe krenarinë e tij.

“Nuk mund të jepja më shumë, vetë djemtë nuk mund të jepnin më shumë. Penalltitë janë ndjesia më e keqe në botë kur i humb. Nuk ishte nata jonë por ka qenë një turne fantastik dhe mund të jemi krenar dhe të mbajmë kokën lart. Tani na dhemb shumë, por jemi në rrugën e duhur”, deklaroi britaniku.

Chiellini: E merituam sepse dominuam ndeshjen

Giorgio Chiellini deklaroi pas fitores së madhe të Italisë në “Euro 2020” se axurrët e merituan plotësisht fitoren.

“E ndjenim që kishte diçka magjike në ajër. E meritojmë këtë fitore. Është një emocion i pabesueshëm, jemi të veçantë, tani le ta shijojmë këtë sepse gjithçka është shumë e bukur. Fituam me meritë sepse, pavarësisht se pësuam gol shumë shpejt, luajtëm gjithmonë duke u zbavitur, duke mbajtur zotërimin e topit dhe duke dominuar ndeshjen”, deklaroi Chiellini.

Në lidhje me serinë e 11-metërshave, kapiteni i Italisë tha: “Ishim të qetë sepse ne kishim Donnarumma. Kemi kaluar nga Gigi (Buffon) te Gigio (Donnarumma)”.

Donnarumma, lojtari më i mirë i “Euro 2020”

UEFA ka shpallur portierin e Italisë, Gianluigi Donnarumma, si lojtarin më të mirë të kompeticionit.

Pritjet e tij përcaktuese përgjatë gjithë “Euro 2020”, por sidomos në seritë e 11-metërshave në gjysmëfinalen ndaj Spanjës dhe në finalen ndaj Anglisë, bënë që të vlerësohej si më i miri i turneut.