Një instilacion artistik i Bansky-t është përuruar në Birmingham të Britanisë së Madhe, këto ditë në prag Krishtlindjesh.
Vepra që tregon dy drerë si ata të Babagjyshit, është pikturuar në të djathtë të një stoli publik. Në një video të publikuar nga Bansky tregohet një lypës me emrin Ryan teksa sistemohet për të kaluar natën në stol, duke u pozicionuar në vend të Babagjyshit dhe slitës së tij.
Në këtë postim Bansky ka shkruar: “Zoti bekoftë Birminghamin. Në 20 minutat që filmuam Ryan-in në këtë stol, kalimtarët i ofruan një pije të ngrohtë, dy çokollata dhe një çakmak – pa ua kërkuar ai”.
Kjo është muralja më e fundit e artistit misterioz, i famshëm për veprat e tij të denoncimit social. Sipas “BirminghamLive”, vepra e re është pikturuar në një mur tullash në Rrugën Vyse, në Lagjen e Argjendarëve dhe nga kritika është cilësuar si një kryevepër që jep mesazhe sociale.