Giorgio Chiellini, sot kapiten i kampionëve të Italisë, në perëndim të karrierës së tij, pasi ka fituar shumë me bardhezinjtë, zbulon mentalitetin fitues të Alessandro Del Pieros. Prej këtij të fundit, ai ka mësuar se çfarë do të thotë të luash për Juventusin, ku barazimi konsiderohet humbje, nuk duhet të gëzohesh për të: “Një ditë, pasi barazuam 0-0 me Milanin, kur u kthyem në dhomat e zhveshjes ishim të gjithë të lumtur. Milani ishte shumë i fortë atë kohë, ndërsa ne një ekip i ri.
Del Piero filloi të shkelmonte gjithçka që kishte përpara. Filluam ta shihnim çuditshëm, Buffon na tha ta linim se do t’i kalonte. Pasi bëmë dush, Aleks na thirri të gjithëve dhe na tha: ‘Gjithë kjo lumturi që keni ju djema më acaron, nuk mund të jemi të lumtur me një barazim. Duhet të kemi një mentalitet më të mirë, barazimi për Juventusin është humbje. Fiksojeni këtë në kokën tuaj’… Ajo ishte dita kur e kuptova se çfarë do të thoshte të luash për Juventusin”.