Maskat, distancimi social, dezinfektimet dhe vaksina, janë kryefjalët e jetës sonë, nga fillimi i vitit që sapo mbaroi, aq sa të krijohet përshtypja që kanë qenë gjithmonë pjesë e përditshmërisë.
Dhe ndërkohë që fillimi i vaksinimeve duket sikur ka krijuar një dritë në fund të tunelit të pandemisë, rikthimi në normalitet duket ende një sipërmarrje e vështirë dhe plot të panjohura.
Por, do t’i rikthehemi jetës së mëparshme? Kjo është pyetja që të gjithë bëjnë, dhe disa nga figurat më të rëndësishme të fushës mjekësore kanë tentuar t’i përgjigjen.
Ka mendime disi optimiste, si ato të Brendan Wren, profesor i Vaksinologjisë i London School of Tropical Medicine. Wren mendon se fundi i pranverës mund ta gjejë Britaninë, por jo vetëm, në një situatë dukshëm të përmirësuar, ku madje, sipas tij, mund të fillohet të mendohet edhe për të prenotuar pushimet gjatë muajit të verës. Kjo, gjithmonë në qoftë se fushata e vaksinimit shkon siç duhet, me shtrirjen e tij të paktën në fashën e personave sipër të 50-ave.
Por, për Hugh Pennington, profesor i shquar i Bakteriologjisë në Aberdin, pikërisht kjo shtrirje e vaksinimit nuk është ajo e duhura. “Grupet që kanë prioritet vaksinimin, si personeli shëndetësor dhe pensionistët, nuk janë superpërhapës, dhe pjesa më e madhe e tyre gjithsesi është izoluar. Vetëm kur vaksinimi do të përfshijë personat nën 50 vjeç, do të kemi efekte të dukshme”. Sipas tij, një rikthim në normalitet “duket i vështirë deri në festat e fundvitit të ardhshëm”, edhe pse nuk mungojnë të panjohurat për kohëzgjatjen e imunitetit që japin vaksinat, dhe përgjigjja e tyre ndaj mutacioneve të SARS coV-2.
Edhe më pesimist Paul Hunter, profesor i University of East Anglia, sipas të cilit optimizmi i tij i vjeshtës po zbehet me lajmin e përhapjes së mutacioneve të reja.
“Lajmi për mutacionet e bën rikthimin në normalitet në pranverë thjesht një ëndërr. Vaksinimi, sipas tij, mund të vihet në rrezik, të parandalojë padyshim rastet më të rënda, por jo infektimin në vetvete, dhe as mundësinë për të infektuar të tjerët. Kam frikë se dimri i ardhshëm do të jetë sërish i vështirë, ndoshta jo si ky i tanishëm, por do të ketë sërish të infektuar, sërish vdekje edhe masa kufizuese”.
Një pozicion më i moderuar është ai i Linda Bauld, profesoreshë e Universitetit të Edinburgut. “Me mbylljet e tanishme, Britania mund të ulë shifrat në fund të janarit, ndërkohë që vaksinimi do të tregojë impaktin e parë rreth marsit. Mendoj që brenda qershorit numrat e të shtruarve në spitale do të bien ndjeshëm”, thotë ajo, që gjithsesi paralajmëron se aktivitetet sociale të dikurshme do të duhet të presin. “Eventet masive mund të zhvillohen vetëm pasi çdo person të ketë bërë testimin, ndërkohë që pa shpërndarjen globale të vaksinës, udhëtimet ndërkombëtare vështirë se mund të rifillojnë lirisht edhe vitin e ardhshëm”.