Para vizitës në Shqipëri, kryeministri i Holandës Mark Rutte u ndal në Greqi ku u takua me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis.
Por, nuk ishte aspak një konferencë e qetë për kryeministrin Mitsotakis, i cili u përball me një gazetare holandeze për politikat e emigracionit.
“Kryeministër Mitsotakis kur do të ndaloni së gënjyeri. Të gënjesh për kthimet e emigrantëve, të gënjesh për atë që po ndodh me refugjatët në Greqi? Ka pasur prova dhe ju vazhdoni të mohoni dhe gënjeni. Kjo është si abuzim narcisist. Pse nuk jeni i sinqertë? Pse nuk thua ‘Brukseli na la të qetë, pritëm gjashtë vjet, askush nuk bëri asgjë. Tani kam fjalën dhe po i shtyj në mënyrë mizore barbare”, u shpreh gazetarja.
Gazetarja holandeze iu referua të dhënave nga grupet e të drejtave të njeriut ku thuhet se Greqia po i shtyn në mënyrë të paligjshme azilkërkuesit të kthehen në Turqi, një praktikë që Greqia e mohon.
Mitsotakis, mbrojti politikën e qeverisë së tij për migracionin, duke e cilësuar një politikë “të ashpër por të drejtë” dhe tha se Greqia po shpëtonte qindra njerëz në det që nga viti 2015.
“Unë e kuptoj se në Holandë ju keni një kulturë për t’u bërë pyetje të drejtpërdrejta politikanëve, të cilën unë e respektoj shumë. Ajo që nuk do të pranoj është se në këtë zyrë të më ofendoni mua apo popullin grek me akuza dhe shprehje që nuk mbështeten me fakte materiale”, u shpreh kryeministri.
Mitsotakis tha se autoritetet po “monitoronin varkat në det në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian dhe u kishin dhënë azil 50.000 njerëzve, përfshirë “dhjetëra mijëra afganë”. Sipas tij kushtet në kampet e refugjatëve janë përmirësuar, gjë që u hodh poshtë nga gazetarja.
Mitsotakis shtoi se kjo është politika e vendit të tij, do ta mbështesë dhe nuk do të pranonte që askush të fajësonte qeverinë dhe ta akuzonte për sjellje çnjerëzore. Edhe kryeministri holandez Mark Rutte i doli në krah homologut të tij.