Nga Aurenc Bebja*, Francë
“L’Echo de Paris” ka botuar, të martën e 25 marsit 1913, në faqen n°3, intervistën e Esat Pashë Toptanit, dhënë asokohe gazetës greke “L’Acropolis” në lidhje me opinionin e tij mbi krijimin e një shteti të pavaur shqiptar, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Intervistë e Esat Pashës për shtetin e ardhshëm shqiptar
Athinë, 24 mars.
“L’Acropolis” boton një intervistë me Esat Pashën. I pyetur se çfarë mendon mbi formimin e shtetit shqiptar, ai u përgjigj:
“Unë mendoj se një shtet i tillë, midis Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, kurrë nuk do të mund të jetojë: mosbindja është diçka e pranishme në mesin e shqiptarëve; ata duan rrëmujën dhe vjedhjen. Si do të mund të jetojë ky popull, me të meta të tilla, të paditur, pa civilizim dhe mysliman?
E rrethuar nga elementë të një race dhe feje tjetër midis kombeve të përparuara në civilizim dhe artin ushtarak, Shqipëria është një Turqi e vogël. Kur një Turqi e madhe nuk mundi të jetonte në Evropë, si mund të rezistojë një Turqi e vogël si Shqipëria?
Nëse Austria dhe Italia, vazhdoi Esat Pasha, kërkojnë të krijojnë një Shqipëri të pavarur, ato humbin kohën e tyre, por nëse kërkojnë të krijojnë një provincë austro-italiane, atëherë këto fuqi do të mbështesin këtë shtet të vogël, por pa dobi do të kërkojmë në të ardhmen shtetin shqiptar.” (Havas).
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania