Nga Aurenc Bebja*, Francë
Gazetat franceze “L’Aube” dhe “L’Eveil des peuples” kanë botuar secila, në mars të 1939, një shkrim rreth konferencës së gazetarit shqiptar Fiqri Llagami në Francë, të cilët Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar:
Në Takimet Ndërkombëtare të Vatrës së Paqes
L’Aube, e diel, 19 mars 1939, f.2 :
Nesër në mbrëmje, e hënë 20 mars, në orën 20:45, në Takimet Ndërkombëtare të Vatrës së Paqes (president: Marc Sangnier), gazetari shqiptar, z. Fiqri Llagami do të flasë për Qëndrueshmërinë e popullit shqiptar si popull i lirë : pretendimet dhe aspiratat e tij . (Hyrja : 2 franga.)
Takimet ndërkombëtare
Qëndrueshmëria e popullit shqiptar si popull i lirë: pretendimet dhe aspiratat e tij
L’Eveil des peuples, e diel, 26 mars 1939, f.3 :
Të hënën, më 20 mars, z. Fiqri Llagami, gazetar shqiptar, foli në Takimet Ndërkombëtare të Shqipërisë.
Në audiencë vumë re z. Léon Rey, kreu i misionit arkeologjik francez në Shqipëri, z. Bznézech, i Muzeut të Njeriut dhe shumë shqiptarë.
Z. Llagami, me një kompetencë të madhe, e riktheu historinë e popullit shqiptar që nga origjina e largët (zbret në fakt nga një degë trako-ilire e vendosur para të tjerëve në territorin shqiptar) deri në ditët tona. Gjatë shekujve, thotë ligjëruesi, shqiptarët gjithmonë kanë luftuar kundër dominimit të huaj; Pjesa heroike e kësaj lufte zhvillohet në kohën e heroit kombëtar Skënderbeut që luftoi për 25 vjet kundër turqve. Pas vdekjes së tij, vendi ra nën dominimin turk dhe qëndroi i tillë për pesë shekuj; por shpirti i kryengritjes ishte ende e gjallë dhe dëshmonte për frymën e pavarësisë së shqiptarëve.
Shfaqja e parë e organizuar e kësaj fryme ndodhi në vitin 1878: ishte Lidhja e Prizrenit, e themeluar me synimin për të protestuar kundër Traktatit të Berlinit dhe kalimit të krahinave shqiptare te fqinjët e saj. Më pas, është shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912, e pasuar shpejt nga një sërë pazaresh të bëra nga fuqitë në dëm të Shqipërisë, pa marrë parasysh dëshirat e këtij populli : traktate sekrete, biseda, vendime mbi të cilat ligjëruesi solli një saktësi të madhe. Sot, nga 3 milionë shqiptarë, vetëm 1 milionë e 100 mijë janë në shtetin shqiptar; të tjerët janë nën sundimin e huaj ose kanë emigruar në vende të ndryshme.
Shqiptarët që e quajnë veten “Bijtë e Shqiponjës”, e sidomos të rinjtë, janë shumë patriotë. Ligjëruesi, i cili është një adhurues i mbretit, të cilin e konsideron si simbolin e pavarësisë shqiptare, lexon dëshmitë e personaliteteve të huaja që vlerësojnë veprën e mbretit dhe z. Llagami e mbyll fjalën e tij kështu :
“Një popull që rezistoi dhe fitoi kundër të gjitha fateve dhe zilisë së më të mëdhenjve; një popull që, me gjithë dominimet e huaja, diti të ruajë të paprekur gjuhën, traditat, zakonet e tij, është një popull i qëndrueshëm dhe trim që meriton të gjithë konsideratën dhe miqësinë e vendeve moderne dhe të popujve njerëzorë. Shqipëria, për më tepër, për nga situata e saj gjeografike që dominon në të gjithë Ballkanin, duhet të ruhet edhe më shumë me konsideratë, veçanërisht nga shtetet fqinje, të cilat kanë interes të ruajnë pavarësinë shqiptare.”
Pasi Louis Meyer, kryetar i seancës, e falënderoi z. Llagami për ligjëratën e tij, filloi biseda.
Z. Léon Rey dëshmon për frymën e pavarësisë që gjallëron popullin shqiptar dhe e bën atë, madje edhe emigrantët, një racë të gjallë.
Më pas u bënë pyetje për ndikimin italian në Shqipëri. Disa dëgjues shqiptarë, të nervozuar, gjë që u shkaktoi atyre një thirrje për qetësi nga presidenti i seancës, protestuan kundër prezantimit të ligjëruesit dhe e quajtën Shqipërinë e sotme, një vend mjerimi, një koloni italiane.
Z. Llagami u përgjigj se Shqipëria dhe Italia ishin të lidhura me një traktat miqësie, i cili nuk është sekret pasi u miratua nga Lidhja e Kombeve; Shqipëria, thotë ai, është gjithashtu në marrëdhënie të mira me fqinjët e saj, Jugosllavinë dhe Greqinë. Në Shqipëri asnjë ndikim tjetër nuk dominon dhe qeveris vetëm mbretin.
Mbi tavolinë janë shpërndarë disa fotografi. Ne admirojmë, në pasurinë dhe shumëllojshmërinë e tyre të pafund, kostumet e shumta kombëtare të Shqipërisë. Ne shohim ndërtesat e reja, ndërtesat moderne që tani po ngrihen nga kjo tokë e vjetër.
Dhe ne mirëpritëm përzemërsisht këtë mbrëmje në “Foyer de la Paix – Vatrën e Paqes”, për herë të parë, por me synimin për takime të reja, shqiptarët, bij të një populli të vogël që kishin mes tyre Pirron dhe Aleksandrin.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania