“Guardiola më ka treguar se çfarë ndodh kur dëshiron një lojtar 100 milionë eurosh: i tregon një video sheikut Mansur bin Zaid Al Nahian, i cili një ditë më vonë ngre çmimin e naftës me ndonjë të mijtë eurosh dhe rikuperon të gjithë paratë e shpenzuara”, deklaroi presidenti i Bajernit, Uli Hënes, duke vënë në vështirësi të mëdha Mançester Sitin, i cili në ditët e fundit po hetohet për thyerjen e rregullave të “Fair Play-t Financiar”.
Një deklaratë që nuk u ka pëlqyer aspak kampionëve të Anglisë, të cilët do t’i kërkojnë presidentit bavarez që të kërkojë falje, por nuk përjashtohet edhe hedhja në gjyq e 67-vjeçarit.
“Ishte deklarata e një njeriu superior, arrogant, egoist. Ne jemi të shqetësuar që mund të ketë pasur elemente racizmi në atë që Hënes tha”, tha një zyrtar i lartë i “qytetarëve”, ndërsa “Mirror” mësoi se avokatët e anglezëve kanë nisur konsultimet dhe nuk përjashtohet paditja e Hënesit.