Tani Boris Johnson ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, por para se të infektohej nga koronavirusi, kur në Itali dhe në Spanjë numri i viktimave vetëm rritej, kryeministri britanik ishte i vetmi lider europian që nuk kishte marrë ende masa.
Madje edhe vetë i kishte neglizhuar këshillat e mjekëve. Vetëm kur nisi të rritej numri i të infektuarve në Britani, Johnson dha urdhrin për mbylljen e qarkullimit, një vendim që u konsiderua i vonuar.
Më 3 mars, vetë Johnson shfaqej para gazetarëve në një konferencë për mediat, duke u mburrur se si ai kishte shtrënguar duart me pacientë të sëmurë me koronavirus.
“Unë shtrëngoj duart vazhdimisht. Isha në spital mbrëmjen e kaluar ku mendoj se kishte pacientë me koronavirus dhe shtrëngova duart me të gjithë dhe do vazhdoj të shtrëngoj duart.”– thoshte ai. Por tani që ndodhet në kujdes intensiv me siguri e ka kuptuar se koronavirusi nuk është një shaka.
Që me 27 mars, kryeministri britanik dha lajmin se ishte infektuar nga koronavirusi, por kishte vetëm simptoma të lehta. Por pas 10 ditësh izolimi në shtëpi, simptomat nuk iu larguan dhe ai u shtrua në spital. Gjendja e tij vijoi të përkeqësohej dhe që prej mbrëmjes së kaluar, Johnson ndodhet në trajtim intensiv.
Ai ia ka deleguar detyrat e tij, ministrit të Jashtëm, Dominic Raab.
Mediat britanike japin detaje për gjendjen e Boris Johnson-it: I duhen katër litra oksigjen
Gazeta “The Guardian” ka publikuar informacione të reja përsa i përket gjendjes së kryeministrit britanik Boris Johnson, i cili ndodhet në trajtim intensiv pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore për shkak të koronavirusit.
Gazeta shkruan se burime nga spitali “St Thomas”, thonë se Johnson nuk po mbahet me respirator, por ka konfirmuar se i nevojiteshin 4 litra oksigjen.
“Johnson, 55 vjeç, nuk është intubuar – ku një tub futet në trake përpara aspirimit, por i duheshin katër litra oksigjen në kujdesin intensiv”, thanë burimet në spital. Pragu normal për kujdes intensiv është 15 litra, çka sugjeron se ai është në gjendje më të mirë se pacientët e tjerë në përgjithësi.
Gazeta britanike shkruan se spitali kishte përgatitur një shtrat që prej të enjtes së kaluar, për kryeministrin. Kjo që pasi doli lajmi i parë që Boris Johnson ishte i sëmurë me koronavirus.