Kjo popullsi u shpërnda qysh në antikitetin e vonë në trevat e Perandorisë Romake.
Në mesjetë dokumentohen të paktën që nga shek. XIII në qytetet shqiptare, si në Durrës, Vlorë, ku dallohen nga tiparet e tyre etniko-fetare.
Në fund të shek. XV grupe hebrenjsh të degës mesdhetare sefardine të ndjekur nga inkuizicioni spanjoll dhe portugez, u strehuan në Shqipëri, kryesisht në kohën e sulltan Bajazitit II.
Ata krijuan në Vlorë, Artë dhe Prevezë bashkësitë e para e më vonë edhe në Berat, Janinë, Elbasan, Shkup, Prizren, Manastir etj.
Hebrenjtë merreshin kryesisht me tregti dhe me dhënie faizi.
Bashkësitë e tyre në Shqipëri krijuan si kudo institucionet fetare e administrative-gjyqësore të veta. Në qytete jetonin në lagje të veçanta.
Në shtetin shqiptar nuk ka pasur diskriminim ndaj tyre, si ka ndodhur në shumë shtete të tjera të Ballkanit dhe të Evropës Perëndimore.
Gjatë Luftës II Botërore jo vetëm hebrenjtë vendas, por edhe të huajt populli shqiptar i strehoi, i mbrojti dhe i shpëtoi nga shfarosja naziste.