Nga Ilir Ikonomi
Faik Konica dhe At Gjergj Fishta, dy miq të vjetër, ishin ndër përkrahësit e zellshëm të idesë se Mbreti Zog duhet të martohej me një vajzë katolike.
Konica e kishte bërë të qartë këtë gjatë vizitës në Shqipëri në 1928, ndërsa Fishta e kishte biseduar çështjen me Zogun dhe kishte marrë konfirmim prej tij se nusja e ardhshme do të ishte e fesë katolike.
“Nuk ka kuptim të shohim drejt Lindjes. Interesat tona janë drejt detit prandaj duhet të shikojmë nga Perëndimi”, kishte thënë në një rast ati françeskan.
Në fillim të vitit 1937 një gazetë e Budapestit njoftonte se mbretëresha e ardhshme do të ishte kontesha hungareze Johanna von Mikes, por plani kishte dështuar sepse, sipas gazetës, Mbreti Zog kishte kërkuar që ajo të konvertohej në fenë islame. Konica i dërgoi një letër kryeredaktorit të gazetës Neë York Times, e cila u botua pjesërisht.
“Ky lajm, – shkruante Konica, – ka të gjitha tiparet e një shakaje. Ideja e ndryshimit të fesë për shkak të martesës është e huaj për mendjen shqiptare”. Konica shpjegonte më tej se Mbreti Zog rridhte nga një familje katolike, e cila për shkak të rrethanave të kohës ishte shtrënguar të përqafonte fenë islame në fund të shekullit të 16.
“Megjithëse Mbreti, sikurse shumica e shqiptarëve, nuk është as fetar e as jofetar, ai anon më tepër nga Kisha Katolike dhe gjithnjë ka ngulur këmbë që katolikët të përfaqësohen në kabinet. Adjutanti i tij kryesor është katolik”, shkruante Konica.
Përfundimisht, Mbreti Zog u martua me një katolike. Ajo ishte kontesha hungareze Geraldine Apponyi dhe martesa u lidh më 27 prill 1938.