Dr. Bledar Kurti
Pak ditë më parë një student nga Universiteti Kombëtar i Seulit në Korenë e Jugut, teksa vizitonte Muzeun e Artit Leeum në Seul, pa një banane të ngjitur në mur. E qëroi dhe e hëngri. Lëkurën e mbetur e ngjiti sërish në mur.
Të alarmuar, punonjësit e muzeut i thanë se ajo ishte një vepër ikonike e artistit italian Maurizio Cattelan – një kryevepër e titulluar “Komediani” me vlerë 120 mijë dollarë. Studenti i tha punonjësve të muzeut se e hëngri bananen sepse ishte i uritur.
Ky është shembulli tipik i degradimit të artit në ditët e sotme. Kur vizitori nuk e ndien më solemnitetin e një vepre. Kur arti i ndjell uri e jo emocion, banalitet e jo ndriçim mendor apo shkundje ndjesore.
“Art kontemporan” shprehen dashnorët dhe pionerët e “së resë”, të vetëmashtruar nga ky term që s’do të thotë asgjë më shumë se sa thjesht fjala: bashkëkohore. Dhe nga mosdija nuk kuptojnë se jo çdo gjë e krijuar sot është bashkëkorore, pasi, për shembull, në këtë rast, një banane e ngjitur në mur, nuk është aspak një koncept më i ri se urinalja e Marchel Duchamp, e vitit 1917. E përsëris, e vitit 1917. Pra, 104 vite më parë. Kur një artist mori një shurrëtore dhe e ekspozoi në një event arti. Ndikimi i urinales së Duchamp, e titulluar “Shatervani” ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si njerëzit e shohin artin, duke kaluar në qasjen e “artit cerebral” pra, mendor, përfshirjes konjitive të shikuesit, kundrejt thjesht “artit të retinës”, asaj që të sheh syri.
Kështu pra, mbi një shekull më parë, Duchamp përdori një objekt banal si një mjet për të angazhuar audiencën e kohës por edhe të ardhshme në provokime mendore. Dhe ia doli.
Edhe modernistët e tjerë të fillim shekullit të 20-të, bashkëkohës të Duchamp, krijuan vepra të së njëjtës natyrë, duke ekspozuar objekte të zakonshme që transmetonin mesazhe të jashtëzakonshme. Objekte banale por që lavdishëm ndryshuan botëkuptimin njerëzor e hapën shtegun për një epokë të re në art.
Por, kjo ishte një shekull më parë. Sot, imitimi i asaj fryme është thjesht një kopje e shëmtuar dhe e pavlerë. E në rastin e bananes, ushqim për një student të uritur, i cili, sipas qasjes së sotme banale mbi artin mund të pretendojë se edhe lëkura e bananes që ai ngjiti në mur, është vepër arti, e ndoshta më me vlerë se origjinali.
Të gjitha zhanret e artit ndodhen sot në një krizë të thellë. Nuk ka asnjë risi në këtë mijëvjeçar të ri. Edhe letërsia, kinematografia, drama, muzika, etj, janë në krizë. Arti po përjeton një epokë të errët, një mediokritet të pashoqë, një boshllëk filozofik, pa asnjë shtysë për njerëzimin.
Sot, çdo krijim pamor shoqërohet me mijëra e mijëra fjalë e komente nga artisti ndërkohë që vepra thotë asgjë. Dikur ekzistonte shprehja: Një imazh vlen sa një mijë fjalë. Ndërsa sot, as një mijë fjalë nuk arrin t’a përshkruajnë një imazh. Ja, pyeteni autorin e veprës së bananes. Do ju trullosë me fjalë e fjalë e fjalë, se çfarë deshte të thoshte, efektin që deshte të shkaktonte, gjendja e dëshpëruar e njeriut modern, etj, etj, e pas disa orësh leksion ti hedh sytë te vepra e sheh një banane. Një dreq banane. E nis e ndihesh keq, inferior që s’arrin dot të kapësh thellësinë e artistit. Por në fakt, është artisti e jo ti, ai që ka dështuar në përçimin e madhështisë së artit.
Arti i ri përmbush të vjetrin. Arti i ri është stafetë e një maratone mijëra vjeçare. Arti i ri ka për mision të nderojë gjenitë e së kaluarës, shpikjet epokale, të gjithë dijen e rrugëtimit njerëzor, e ta drejtojë njerëzimin në shtigje të reja mendore, psikologjike, filozofike dhe emocionale. Ta frymëzojë njeriun për ëndrra e aspirata të reja.
Arti i ri ndërton mbi themelet e së kaluarës. Ashtu si një arkitekt që mund të krijojë forma të panumërta e spektakolare por duke mos neglizhuar aspak elementëve të rëndesës, gjeometrisë, materies etj. Apo mjekët që duhet më së pari të jenë njohës të mirë të anatomisë, fiziologjisë, hematologjisë etj. Edhe juristët kudo në botë u referohen precedentëve ligjor, çështjeve të shqyrtuara më parë nga gjykatat, duke i përdorur si precedentë në jurisprudencë. Matematicienët, fizikantët, biologët, kimistët kanë formulat e trashëguara. Muzikantët, sado krijues e shpërthyes janë të kushtëzuar në shtatë nota dhe gjysmë notat e tyre. Gomari nuk ka makarona me fruta deti por ha bar. Luani nuk ha sallatë me rukola, por mish. Njeriu nuk është i pavdekshëm. Nuk i shpëton dot varrit. Ështê aty. Duke pritur. Ky është rendi i natyrës dhe gjithësisë. Rrota është shpikur me kohë. Nuk e ke shpikur ti.
Mediokriteti po përhapet në masë edhe në letërsi. Me qindra libra limonadë shkruhen e botohen çdo vit. Shumë e shumë amatorë zgjohen një mëngjes e për të justifikuar ekzistencën e tyre në këtë tokë vendosin të shkruajnë një libër, pastaj dy, pastaj tre e me radhë, duke e mbushur bibliotekën e tyre personale vetëm me librat e veta. Romanet kthehen kështu në terapi për shqetësimet e luhatjet e tyre emocionale, provë shoqërore e intelektit të tyre, status për qarqe ekskluzive, duke mos bërë gjë tjetër veçse duke ndotur e ngjyrosur me mediokritet fjalën dhe mendimin. E ndërkohë mjeshtrit dhe gjenitë e fjalës, të cilët ndriçuan epokat, përpëliten në varr nga banaliteti dhe kjo tragjedi e degradimit njerëzor.
Aftësia për të krijuar është dhuntia dhe atributi që e ka vetëm njeriu. Asnjë qenie tjetër në tokë. Kjo dhuratë e çmuar duhet përdorur me kujdes dhe siç duhet pasi na është dhënë për t’a drejtuar familjen njerëzore e jo për t’a çuar atë në humnerë. Ndaj edhe secili krijues mban përgjegjësi të madhe mbi supe. Ka përgjegjësinë t’i shpalosë botës horizonte të reja, unikale, t’a ushqejë atë me dije e përmbushje, ose, përndryshe, si në rastin në fjalë, t’a ushqejë me banane.