Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk ka rrugë tjetër veç integrimit europian, pavarësisht se hapja e negociatave i është refuzuar tri herë në të kaluarën.
“Tri herë rresht u poshtëruam. Ishim gati, Komisioni tha që jemi gati dhe më pas dinamikat brenda dyerve të mbyllura ishin të tilla që u poshtëruam tri herë. Por ajo që nuk të vret, të forcon. Një filozof gjerman e ka thënë këtë. Kështu e kthyem në forcë dhe ja ku jemi sot”, tha Rama në një konferencë për mediat nga Luksemburgu, ku Shqipëria nisi kapitujt e parë të negociatave.
“E dimë që ka ende një rrugë të gjatë, nuk kemi iluzione. Dhe e dimë që zakonet e vjetra mezi zhduken. Kështu që gjërat mund të ngecin prapë. Nuk ka rëndësi. Për ne nuk ka rrugë tjetër, nuk ka vend tjetër, nuk ka të ardhme tjetër. Dhe ka diçka që të gjithë duhet ta kuptojnë, kur shqiptarët bien në dashuri, janë të pandalshëm”.
Në fjalën e tij pas Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama tha se Shqipëria duhet të jetë gati për anëtarësim në BE brenda dekadës.
“Është synimi ynë ta përmbyllim këtë proces brenda kësaj dekade dhe të jemi gati të trokasim në dyert e Këshillit Europian si shtet anëtar. Kjo sigurisht është shumë ambicioze, do kërkojë volum të jashtëzakonshëm pune. Kemi punuar shumë pranë me Komisionin dhe kemi hartuar së bashku një udhërrëfyes. Kemi një plan dhe po kështu mbështetemi te miqtë dhe partnerët tanë për të na ndihmuar ta arrijmë këtë gjë. Kemi nevojë për dije, kemi nevojë për mbështetjen e trurit. Jam besimplotë që përsa na takon ne, do të përmbushim të gjitha standardet apo piketat e ndërmjetme, një koncept që hyri sot në jetën time”.
Rama solli në vëmendje një deklaratë të eurokomisionerit Varhelyi, që në “Shqipëri ka nisur të ndërtohet Europa”. E sipas Ramës, kjo është ajo çka qeveria e drejtuar prej tij kërkon të arrijë deri në vitin 2030.
“Çfarë është e rëndësishme për ne është ta bëjmë Shqipërinë një vend anëtar për mënyrën se si funksionon dhe kjo është gjëja më e rëndësishme sepse nuk duam që Shqipëria të largohet, të marrë çantat dhe të vijë në Bruksel. Duam që BE të vijë në Shqipëri. Varhelyi tha “në Shqipëri kemi nisur të ndërtojmë Europën, dhe është pikërisht ajo që duam të përfundojmë”.