Mariza Ikonomi ka vendosur që pasionin e saj për muzikën ta ushtrojë në kroçiera apo skenat e plazheve më te bukura në botë, duke performuar për turistët që udhëtojnë në vende të ndryshme të botës.
Ditën e sotme në një lidhje me “Skype” në emisionin “Rudina”, Mariza tregoi se momentalisht jeton në Karaibe.
“U bënë 4 muaj e gjysmë këtu dhe kanë kaluar shumë shpejt. Është një eksperiencë shumë e bukur dhe më vjen keq që për tre javë më duhet të kthehem në Europën e Veriut. Këtë eksperiencë unë e shikoj si dhuratë nga universi, jo vetëm punoj, por edhe e shijoj pak”, tha këngëtarja.
Mariza kujton se fillimisht kishte frikë që të bënte këtë ndryshim në jetën e saj, por tani është shumë e lumtur.
“Në fillim kisha frikë për këtë kontratë, sepse nuk është aq e lehtë t’i lësh të gjitha për njëfarë kohe, por është diçka që më ka frymëzuar”, u shpreh këngëtarja.
Por ajo nuk ka vendosur që të heqë dorë përfundimisht nga tregu muzikor shqiptar.
Mariza tregoi se shumë shpejt do të mbajë një koncert në vendin tonë.