Nga Mero Baze
Një raport i një polici korrekt në Holandë, i cili është realisht i shqetësuar për rritjen e kriminalitetit nga shqiptarët e Shqipërisë Kosovës dhe Maqedonisë në rajonin e tij, ka rikthyer në Shqipëri më shumë se në Holandë, debatin për rikthimin e vizave. Edhe pse nuk kemi të bëjmë me ndonjë kërkesë zyrtare të Holandës, por me ditën e zakonshme të punës së policisë së saj, pra edhe pse nuk ka asnjë indikacion që të ketë politikë speciale kundër Shqipërisë për heqjen e vizave, Sali Berisha ka prishur rehatinë e tij, në vilën luksoze të Lalzit dhe po përpiqet të ngrej një alarm fals.
Mundësia që Bashkimi Evropian të forcoj kontrollet kufitare pas ngjarjeve terroriste është real dhe një masë e duhur. Po ashtu mundësia që shtetasit nga vende si Shqipëria duhet të jenë më të besueshëm kur udhëtojnë dhe për këtë duhet të paraqesin prova, po ashtu duket se do të ndodh. Por as Holanda, as Franca dhe as ndonjë vend tjetër evropian, nuk ka ndonjë propozim për rikthim të vizave.
Raporti që citon shtypi shqiptar është një raport që hartohet nga policia e çdo vendi që ka probleme me të huajt, por nuk ka lidhje me qëndrimin zyrtar të shtetit rreth vizave. Ato janë sugjerime që institucionet i bëjnë njëri tjetrit brenda vendit. Ndaj nuk ja vlen të diskutoj për të.
E vetmja gjë që ja vlejmë të diskutojmë, është përse Berishës i ka mbetur ora tek vizat dhe mendon se mund të terrorizoj shqiptarët, duke menduar se atë që nuk e bën dot si opozitar mund ta bëj si shantazhues?
Politika e heqjes së vizave është politikë evropiane dhe jo shqiptare. Shqiptarët janë përfitues ashtu si vendet e tjera. Në Evropë nuk ka arsye antishqiptare për të rikthyer vizat. Nëse do ketë ndonjë ditë arsye evropiane, mund të ketë dhe ne nuk e ndalim dot.
Por tani nuk ka asgjë të tillë. Tani ka vetëm një plak të lodhur e të xhindosur që i kanë hequr vizën shqiptarët, dhe që ai mendon se mund ti tremb dhe ti shantazhoj ata, duke krijuar fabula për rikthim vizash.
Për më tepër që nëse ka njeri kompetent për Holandën dhe vizat holandeze, ai është vet kryetari formal i opozitës, i cili ka është dhëndër brenda në një familje holandeze. Rikthimi i vizave dëmton rënd lëvizjen e lirë të opozitës e cila duhet të çoj çdo fundjavë në Hollandë kryetarin e saj për të kontrolluar a janë ujitur lulet në shtëpi. Por nuk ka ndonjë lajm të tillë ndaj mos u shqetësoni.
Berisha, pikërisht prej marazit të atij që i ka ikur pa vizë dhe pa leje nga selia e partisë dhe po shijon pushimet pasi ka marr me vete çelësat e SHQUP, po përpiqet të krijoj fabula opozitare në Tiranë, të cilat dëshmojnë se ja joserioz ka qenë i pari vendit, i cili së paku e di si janë vendosur vizat dhe të paktën duhet të bëj edhe sikur e di si rikthehen.
E vetmja vizë që është hequr përgjithnjë është viza që shqiptarë i kanë hequr politikës Berishës dhe për atë nuk do të ketë rikthim. Përpjekja e tij për tu treguar shqiptarëve se çfarë mund të humbasin, tani që ai nuk është në pushtet është përveçse banale dhe e lig, edhe një tregues i urrejtjes që ai ka për faktin, që shqiptarët të parën në listën e gjërave që nuk duan kanë Berishën. Pastaj heqjen e vizave.