Një nga politikanët më të lartë të Europës tregoi se si ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte paralajmëruar se Amerika nuk do t’i vinte në ndihmë BE-së, nëse sulmohej ushtarakisht.
“Duhet të kuptoni se nëse Europa sulmohet, ne nuk do të vijmë kurrë për t’ju ndihmuar dhe për t’ju mbështetur”. i tha Trump, Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në vitin 2020, sipas komisionerit evropian francez Thierry Breton, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në një takim në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
“Meqë ra fjala, NATO ka vdekur dhe ne do të largohemi, do të dalim nga NATO”, tha gjithashtu Trump, sipas Breton. “Dhe ai shtoi, ‘meqë ra fjala, më keni borxh 400 miliardë dollarë, sepse nuk paguani, ju gjermanët, atë që duhej të paguanit për mbrojtjen’,” tregoi Breton për takimin e tensionuar. I pranishëm ishte edhe ish- ministri për Strehimin, Qeverisjen Lokale dhe Trashëgiminë e Irlandës, Phil Hogan.
Breton e tregoi bisedën në një ngjarje në Parlamentin Europian në Bruksel të martën, vetëm disa ditë përpara se Partia Republikane të mbajë mbledhjen e grupit të saj parlamentar më 15 janar në Iowa, gara hapëse në përpjekjen e Trump për të fituar nominimin republikan në garë, me qëllim për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Anëtarët e partisë do të hedhin votat e tyre për kandidatët, duke përfshirë Trump, Guvernatorin e Floridës Ron DeSantis dhe ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, të cilët të dy mbeten shumë pas ish-presidentit në sondazhe.
Një zëdhënës i fushatës zgjedhore të Biden komentoi fjalët e Bretonit në këtë mënyrë, duke folur për ‘Politico’: “Ideja se ai do të braktiste aleatët tanë nëse nuk merr atë që dëshiron, nënvizon atë që ne tashmë dimë për Donald Trump: I intereson vetëm vetvetja”. Zëdhënësi Ammar Moussa shtoi: “Si president Trump kaloi katër vjet duke kënaqur diktatorët, duke dobësuar vendin tonë”.
Senatori Tim Kaine, demokrat i Virxhinias dhe anëtar i Komitetit të Forcave të Armatosura, i cili ndihmoi në sponsorizimin e një ligji për të parandaluar tërheqjen e një presidenti nga NATO pa miratimin e Kongresit, deklaroi në X: “Ne nuk do t’i braktisim aleatët tanë”.