Qindra besimtarë myslimanë falën që prej orës 7:00 namazin e Kurban Bajramit, një prej festave më të shënuara të fesë islame. Edhe këtë herë, në pritje të përfundimit të punimeve në Xhaminë e Namazgjasë, besimtarët kryen ritet e tyre në Sheshin “Skënderbej”.
Festa e Flijimit, siç njihet ndryshe, paraprihet nga pelegrinazhi i përvitshëm i Haxhit, ku marrin pjesë mbi 2 milionë myslimanë, të cilët mblidhen në Mekë, një prej tre vendeve të shenjta të fesë islame. Në fjalën e rastit, mbajtur para besimtarëve, Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, tha se këtë vit në Haxh morën pjesë 400 shqiptarë.