Rindërtimi i banesve të dëmtuara nga tërmeti i 2019, në Kurbin është ende një premtim i pambajtur, pasi familje të dëmtuara po kalojnë dimrin e katërt pa një çati mbi kokë. Faktoje verifikoi se banorë të Kurbinit ende presin të përfundojë procesi i zvarritur i rindërtimit. Edhe shifrat e dërguara nga vetë bashkia Kurbin, tregojnë se vetëm 13% e banesave individuale kanë përfunduar.
Patris Pustina -Faktoje.al
Një vit e gjysmë pas tërmetit që goditi vendin në Nëntor të 2019, kryebashkiakja e Kurbinit Majlinda Cara, përmes një postimi, në faqen e saj në Facebook radhiti investimet në Kurbin. Ndër to, ishte dhe “ndërtimi i pjesës tjetër të shtëpive private (individuale), të dëmtuara nga tërmeti, të klasifikuara si DS4-DS5”.
Gati 20 muaj më vonë, në hyrje të dimrit të katërt pas tërmetit, “Faktoje” vendosi të verifikojë nëse ky premtim i kryetares së bashkisë është mbajtur.
Më 16 shtator 2022, “Faktoje” i dërgoi një kërkesë për informacion Bashkisë së Kurbinit, për të kërkuar të dhëna se sa banesa individuale të klasifikuara DS4 dhe DS5 pas tërmetit janë rindërtuar.
Në përgjigjen e zyrtare, kjo bashki pohoi se nga banesat e klasifikuara DS4 janë rindërtuar 507 apartamente dhe 11 banesa private, ndërsa nga ato të klasifikuara DS5 janë ndërtuar 522 apartamente dhe 18 banesa individuale.
Përgjigja e Bashkisë Kurbin kërkesës për informacion nga Faktoje, datë 30 shtator 2022
Bazuar në përgjigjen zyrtare, rezulton se në 3 vitet pas tërmetit, janë rindërtuar 1029 apartamente dhe 29 shtëpi individuale. Duhet theksuar, megjithëse bashkia nuk e specifikon, se 524 apartamente janë ndërtuar që në dhjetor 2021, me financimin e qeverisë turke.
Ndërkohë, sa i përket banesave individuale, 443 prej tyre janë pjesë e procesit të rindërtimit. Ndërsa 218 familje kanë zgjedhur të ndërtojnë shtëpitë e tyre me kompani të zgjedhura nga ata vetë, 225 banesa do të ndërtohen nga shteti.
Në këto 3 vite, sipas vetë Bashkisë së Kurbinit, janë ndërtuar vetëm 29 nga 225 banesa individuale, ose rreth 13%.
“Faktoje” foli me kryefamiljarin e njërës prej familjeve që është ende në pritje të rindërtimit të shtëpisë, z. Tahir Murati
Pas tërmetit të 2019-s, familja e tij u shpërngul në çadër. Megjithatë, tani ai jeton në një kontenier që i është dhuruar nga një shoqatë bamirëse.
Pyetur për ecurinë e punimeve për rindërtimin e shtëpisë së tij, zoti Murati tregon se shtëpia është prishur përpara 6 muajsh, por rindërtimi është ende në faza paraprake. “Kanë sjellë ca zhavorr aty. Kanë bërë një shtresë betoni si të ishte duke u bërë ndonjë teatër kukullash ose një arenë cirku dhe asgjë më tepër. Është çuar zhavorri nëpër shtëpi. Kanë hedhur nga një makinë zhavorr dhe akoma nuk ka filluar rindërtimi.” -tregon ai.
Familja e tij prej 10 personash, është shpërndarë, sepse nuk ka vend për të gjithë në kontenierin ku strehohet ai aktualisht.
“I kam shpërndarë, i kam nxjerrë rrugëve se ku t’i çoj? I kam nxjerrë rrugëve. Siç i ka thënë Arben Ahmetaj këtij të gjatit me fondin e taksapaguesve evropianë, ashtu kam nxjerrë unë njerëzit e shtëpisë sime se s’kam ku i çoj, s’kam ku i mbaj. Jemi në mëshirë të fatit.”
Përpos vonesave në afate dhe lënies në harresë, edhe ato banesa që po rindërtohen, thotë zoti Murati, janë të papërshtatshme:
Janë përgjysmuar shtëpitë. Po bëhet një masakër katastrofike në Kurbin me banesat private, sepse janë përgjysmuar komplet objektet. Sipërfaqet edhe gjithshka, baza materiale, inertet janë ndryshe. Nuk ka cilësi. Nuk ka zbatim të projekteve. Është tmerr me i pa! Këtu po bëhen kafaze pëllumbash, kotece pulash, dhe nuk bëhen shtëpi banimi.
Më 25 Korrik 2022, kryeministri Rama e quajti rindërtimin ‘një mision të përmbushur me sukses spektakolar’, duke shkarkuar ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetajn. Këtë pretendim zoti Murati e cilëson si “propagandë për fushatë votimesh,” ndërsa përgatitet për dimrin e katërt që familja e tij do të kalojë pa shtëpi.
Pas përgjigjeve të marra nga Bashkia Kurbin dhe verifikimit në terren nga “Faktoje”, premtimi i kryebashkiakes Majlinda Cara për rindërtimin e shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 mbetet i pambajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.